Premtohen investime edhe më të mëdha në shëndetësi

Premtohen investime edhe më të mëdha në shëndetësi

Sot është bërë përurimi i rinovimit të Kardiologjisë Invazive me njësinë e re koronare, ku tashmë do të jenë dy salla ku pacientët do të mund të trajtohen.

Ky investim u tha se do të ndikojë që pacientët të marrin trajtim më të mirë dhe se nuk do të kenë nevojë të kërkojnë shërim jashtë vendit.

Po ashtu, u premtua se në shëndetësi do të vazhdohet të investohet, me qëllim që të ruhen xhepat e qytetarëve.

Në përurim mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili tha se një investim i tillë tregon se kur bëhen bashkë profesionalizmi dhe vullneti politik mund të arrihet çdo gjë.

Ai është zotuar se investimet në sektorin e shëndetësisë do të rriten, me të vetmin qëllim që qytetarët kosovarë të ndjehen të barabartë me qytetarët e vendeve tjera sa i përket shërbimeve shëndetësore.

Vërtetë është shumë inkurajuese kur e sheh diçka që po ndodh mirë në Kosovë dhe nëse kthehemi mbrapa vetëm një vit apo dy edhe e kujtojmë gjithë ato miliona të derdhura të njerëzve tanë të varfër anë e kënd vendeve përreth…Unë vetëm mundem të zotohem se investimet në sektorin e shëndetësisë kanë me u rrit dhe qytetarët tanë kanë me e ndje veten të barabartë, për të mos thënë edhe më mirë se shumica e vendeve regjionale në shërbimet shëndetësore”, tha Veseli.

Lajm të mirë funksionalizimin e dy sallave të Kardiologjisë Invazive e ka quajtur edhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili  tha se tash e tutje qytetarët nuk do të kenë nevojë të kërkojnë shërim jashtë vendit.

Ismaili deklaroi se e mira e këtij investimi është se përpos që shpëtohet jeta kursehet edhe xhepi i qytetarëve.

Siç e shihni edhe vet objekti është modern, aparatura është mjaftë moderne, kemi arritur ta sjellim një angiograf që është blerë e ka mbetur për dy muaj në Vjenë dhe tani ai është vendosur, është funksional. Pra, nuk ka aparaturë që vije e nuk hyn në funksion, siç kemi pasur raste në të kaluarën”, tha Ismajli, duke shtuar se janë larguar listat e pritjes dhe mundësitë që të ketë keqpërdorime.

Sipas Ismailit tani ka vetëm shërbime për qytetarët dhe ato pa iu kushtuar atyre shpenzime mijëra euro.

Kreu i Shëndetësisë u shpreh se e gjithë puna nuk do të mund të bëhej pa një mbështetje të menaxhmentit të QKUK-së, pasi sipas tij, janë thyer interesa të mëdha që kanë vendosur t’i dërgojnë pacientët në klinika private.

Kjo nuk do të ishte arritur pa një mbështetje të fuqishme, sepse dihet që këtu kemi thyer interesa të mëdha të cilat shpesh herë kanë vendosur pacientët tanë të dalin në klinika private e të paguajnë mijëra e mijëra euro. Kjo nuk është më një gjë e tillë dhe besoj që është një fitore e madhe për mjekësinë kosovare, por po ashtu edhe për qytetarët tanë”, u shpreh Ismaili.

Ndërkaq, drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu, u shpreh se me funksionalizimin e dy sallave të Kardiologjisë Invazive tani e tutje pacientët do të marrin shërbime 24 orë.

Çka është më e rëndësishmja është që pacientët tani e tutje do të trajtohen 24 orë pa ndërprerë edhe në dy orët e para, që është shumë e rëndësishme dhe ky projekt që ka filluar të hënën, do të thotë si pilot projekt për Prishtinën dhe do të zgjerohet në gjithë Kosovën, që edhe dy orët e para pacienti kudo që të jetë në rrugë do të vijë drejtë në sallë duke i anashkaluar ato procedurat administrative. Kjo është një e arritur mjaftë e madhe sepse na barazon me vendet mjaftë të zhvilluara, sepse në regjion nuk e kanë të gjitha vendet”, tha Sejdiu.