Kastrioti merr pjesë në Kupën Sfiduese

Kastrioti merr pjesë në Kupën Sfiduese

Hendbollistët e Kastriotit kanë udhëtuar për në Pragë të Çekisë ku të shtunën e të dielen do t’i zhvillojnë dy ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare.

Në rrethin e dytë të Kupës Sfiduese (Challenge Cup), skuadra nga Ferizaji takohet me Dukla Praha të Çekisë.

Dy ndeshjet luhen në sallën “Slavia Praha”, të shtunën dhe të dielen nga ora 18:00.

Ferizajasit kanë nisur me kohë përgatitjet dhe janë të gatshëm të japin maksimumin në këto dy ndeshje. Kastrioti këtë herë do të bazohet kryesisht në lojtarët e zhvilluar te kjo skuadër.

Klubi nga Kosova ka nisur me fitore bindëse stinorin në Superligën e Kosovës në hendboll dhe ka pretendime edhe për edicionin e ri, pasi në të kaluarin fitoi Kupën e Kosovës dhe u paraqit në finale të kampionatit.

Por, fillimisht skuadra me traditë do të jap më të mirën e mundshme për paraqitje të denjë në Evropë, në kërkim të suksesit të radhës.