"V Save" është praktik për përdorim dhe kushton më lirë se sa pajisjet tjera

“V Save” është praktik për përdorim dhe kushton më lirë se sa pajisjet tjera

Sot është lansuar produkti “V Save” përmes së cilit synohet kursimi dhe kontrollimi i energjisë elektrike përmes “prizës së zgjuar”.

Andi Krasniqi, Herolind Balaj, Albion Beka dhe Erion Maçastena janë katër të rinjtë që krijuan këtë produkt dhe së shpejti synojnë ta sjellin edhe në treg.

Dizajnuesi i aplikacionit, Andi Krasniqi, ka treguar se ata tashmë e kanë testuar këtë produkt tek disa klientë, për të cilët tha se janë ndarë të kënaqur. Krasniqi po ashtu ka thënë se aplikacioni “V Save” është praktik për përdorim si dhe kushton më lirë se sa pajisjet tjera.

“Produkti ende është në prototip, ende nuk ka dalë në shitje, po presim rreth janarit ose shkurtit për ta sjellë në shitje te ‘Gjirafa50’, ‘Pazari’ dhe në websajtin tonë ‘allset.tech… Çmimi është tri herë më i lirë se sa mesatarja në tregun ‘Smart home’, mesatarja është 70 euro, ne do e bëjmë prej 25 deri në 35 euro”, ka thënë Krasniqi.

Njëri nga themeluesit e produktit, Albion Beka, ka thënë për KP, se  përmes këtij produkti kanë për qëllim kursimin e energjisë dhe tregoi se ideja u erdhi nga problemet e vazhdueshme të njerëzve me problemet e energjisë elektrike.

“Ideja për ta krijuar këtë produkt ka ardhë, domethënë vazhdimisht duke i parë njerëzit që janë ankuar, sidomos nëpër lajme, për shkëputjet e rrymës gjatë ditës, shpenzimet e larta dhe kemi menduar se si mund ta bëjmë ne një produkt apo një pasije e cila do të ndihmonte që t’i ulë ato shpenzime”, ka thënë Beka.

I pranishëm ishte edhe drejtori i shkollës “Don Bosko”, Izidor Llukiq, i cili  u shpreh krenar për projektin e nxënësve të tij dhe tha se projektet e tilla janë të nevojshme në Kosovë.

“Ky projekt më ka fascinuar sepse kemi nevojë për projekte të tilla. Ky projekt i cili sot u lansua zyrtarisht, besoj se shumë kompani tjera do të vijnë dhe ta kërkojnë, dhe mburremi me atë çka kemi bërë, mburremi me shkollën në të cilën jemi, mburremi me profesorët të cilët nuk kursejnë asnjë minutë sepse e ardhmja e Kosovës është në duart e juaja”, ka thënë Llukiq.

Përndryshe, ky projekt u financua nga UNICEF Innovations Lab, ndërsa tani po zhvillohet në inkubatorët e ICK-së dhe pritet të dalë në shitje në fillim të vitit 2019.