KDI: Gjatë një viti vetëm 11 ligje u miratuan pa opozitën

KDI thotë se dialogu Kosovë-Serbi vazhdoi të ishte pikë ndarëse në mes partive parlamentare në pozitë dhe opozitë

Kuvendi i Republikës së Kosovës përgjatë vitit 2018, krahasuar me vitet paraprake, ka rritur performancën, sidomos në aspektin numerik. Kuvendi gjatë këtij viti ka mbajtur gjithsej 42 seanca, prej të cilave 23 ishin seanca plenare, 16 të jashtëzakonshme dhe 3 solemne. Kështu thuhet në një komunikatë të KDI-së, ku vlerësohet se progres është shënuar në përmbushje të agjendës legjislative nga 36% gjatë viteve 2015 dhe 2016 në 42% në vitin 2018, në nisma legjislative, në inicimin e interpelancave dhe parashtrimin e pyetjeve parlamentare.

“Pavarësisht performancës pozitive në numra, mungesa e kuorumit ka përcjellë punën e Kuvendit për vitin 2018, ku në pamundësi të vendimmarrjes shumica e seancave plenare të mbajtura është dashur të shtyhen për ditë të tjera. Edhe në rastet kur është siguruar kuorumi, shumë ligje nuk janë votuar, pasi që deputetët nuk kanë marrë pjesë në votim. Si rrjedhojë, shumë pika të papërfunduara të rendit të ditës nga seanca të ndryshme janë grumbulluar dhe vendosur në një seancë të vetme. Si pasojë e këtyre veprimeve, Kuvendi ende nuk ka arritur t’i përfundoj të gjitha seancat e filluara, përfshirë këtu çështje që kanë qenë në rend dite të seancave nga muaji shtator. Bazuar në Rregulloren e Punës, Kuvendi i Kosovës javën plenare e fillon ditën e enjte për të vazhduar në ditën pasuese në rast të mospërfundimit të të gjithave pikave. Në të kaluarën, Kuvendi ka ndjekur këtë praktikë dhe ës htë siguruar që rendi i ditës të mos jetë i tejngarkuar. Për më tepër, orari i mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit, seancave plenare e komisioneve parlamentare ka qenë i ditur dhe i është zbatuar. Një organizim i tillë i mirëfilltë i punës sipas rregullores në fjalë nuk është përfillur në vitin 2018. Koalicioni qeverisës është sfiduar vazhdimisht me mungesën e numrave. Lista Serbe, si partner i koalicionit qeverisës, në shumicën e rasteve ka bojkotuar Kuvendin, por edhe në rastet kur ka marrë pjesë ka qenë shumë pasive si në seanca plenare, ashtu edhe në komisione parlamentare. Bojkotimi i punës së Kuvendit nga ana e Listës Serbe si dhe mungesa e deputetëve të koalicionit qeverisës ka ndikuar që shumica parlamentare të mos jetë e garantuar në Kuvend. Duke qenë në këtë situatë, opozita ka qenë faktori kyç në përmbushjen e agjendës legjislative gjatë këtij viti”, thuhet në komunikatë.

Kuvendi sipas KDI-së, në agjendën e saj legjislative për vitin 2018 kishte paraparë 177 projektligje, përfshirë projektligjet e planifikuara nga Qeveria, nismat legjislative nga Kuvendi si dhe projektligjet tjera të bartura nga agjenda legjislative e vitit paraprak.

“Ndryshe nga vitet e tjera, kur Kuvendi ishte pasiv në inicimin e nismave ligjore, gjatë 2018 Kuvendi ishte shumë më produktiv. Nga 15 nisma ligjore të propozuara, dy janë miratuar, nëntë janë në ende në procedurë të shqyrtimit ndërkaq katër prej tyre janë në pritje për tu shqyrtuar. Nga 75 ligjet e miratuara sivjet, deputetët nga grupet parlamentare në opozitë kanë votuar shumicën dërmuese të tyre. 38 nga 75 ligjet e miratuara këtë vit janë ligje që derivojnë nga MSA ose Agjenda për Reforma Evropiane si dhe marrëveshje ndërkombëtare, dhe të gjitha janë votuar nga subjektet në opozitë. Për më tepër, shumë ligje tjera, siç janë ligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, Ligji për Kryeqytetin etj. Po ashtu janë votuar nga deputetët opozitar. Në tërësi, janë vetëm 11 ligje të cilat janë miratuar pa pjesëmarrjen e deputetëve të dy grupeve të mëdha opozitare, LDK dhe VV. Miratimi i ligjeve, në disa raste është përcjellë me shkelje të rregullores. Sipas kësaj të fundit, secili amendament duhet të votohet si i veçantë, kurse në praktikë, në raste të shpeshta të gjitha amendamentet janë votuar në grup. Po ashtu, Kuvendi edhe këtë vit ka vazhduar me praktikën e shqyrtimit të projektligjeve në procedurë të përshpejtuar, ku 11 nga ligjet e miratuara janë shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar. Numri i dëgjimeve publike për shqyrtimin e projektligjeve këtë vit është shumë i vogël në raport me numrin e ligjeve që janë miratuar. Nga 75 ligjet e miratuara, duke përjashtuar 19 marrëveshjeve ndërkombëtare, për 56 ligje të tjera të miratuara nga Kuvendi vetëm për 12 prej tyre janë organizuar dëgjime publike, ndërkaq 44 ligje të tjera janë shqyrtuar dhe miratuar pa konsultim me publikun. Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, gjatë vitit 2018 deputetët opozitarë kanë iniciuar 13 interpelanca dhe 19 debate parlamentare, nu mër më i madh sesa përgjatë legjislaturës së V-të. Po ashtu, gjatë këtij viti janë realizuar 275 pyetje parlamentare, dhe 81 raportime në Komisione Parlamentare nga ana e ekzekutivit. Edhe pse ka pasur një numër të madh të pyetjeve parlamentare, ato janë lexuar për disa seanca radhazi nga deputetët parashtrues për shkak të mungesës së kabinetit qeveritar në punimet e Kuvendit. Nga pyetjet e parashtruar, 61% e tyre kanë marrë përgjigje nga kabinetit qeveritar.

Mbikëqyrja e 34 institucioneve të pavarura që i raportojnë drejtpëdrejtë Kuvendit, vazhdon të jetë problematike për organin më të lartë legjislativ. Shqyrtimi i raporteve vjetore të punës së institucioneve të pavarura është mekanizmi i vetëm me të cilën Kuvendi mban nën mbikëqyrje dhe llogaridhënëse këto institucione, por një mekanizëm i tillë është i pamjaftueshëm për të pasur një mbikëqyrjen efektive të këtyre institucioneve. Nga gjithsej 14 komisione, 9 prej tyre kanë shqyrtuar raportet vjetore të organeve të pavarura, kurse gjithsej janë shqyrtuar raportet vjetore të 26 institucioneve të pavarura për vitin 2018. Një sfidë tjetër në rolin e Kuvendit në raport me institucionet e pavarura janë vonesat në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të këtyre institucioneve. Gjatë vitit 2018 Kuvendi ka shënuar regres në transparencë financiare. Deri më tani, është publikuar vetëm raporti për gjashtë mujorin e parë të vitit 2018. Në bazë të raporteve financiar për gjashtë muajt e parë të vitit 2018 (periudha janar – qershor ), të cilat i ka publikuar Kuvendi i Kosovës, vërehet se deputetët kanë realizuar gjithsej 210 udhëtime jashtë vendit, udhëtime këto që buxhetit të shteti i kanë kushtuar në total 172,616 €. Vetëm për periudhën prill – qershor 2018, shpenzimet e deputetëve në udhëtime jashtë vendit janë rritur për 86% në krahasim me tremujorin e parë të vitit. Në bazë të raportit financiar, vërehet se 78 nga 120 deputetët e Kuvendit kanë realizuar udhëtime jashtë vendit. Megjithatë, raportet financiare nuk ofrojnë informacione lidhur me qëllimin e vizitave të deputetëve dhe kohëzgjatjen e këtyre vizitave”, thuhet në komunikatë.

KDI thotë se dialogu Kosovë-Serbi vazhdoi të ishte pikë ndarëse në mes partive parlamentare në pozitë dhe opozitë. Edhepse takimet mes presidentit të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në qershor të vitit 2017, Kuvendi u vonua më shumë se një vit për t’i kushtuar vëmendjen e duhur këtyre takimeve dhe për të artikuluar rolin e tij në atë që u quajt si fazë e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vetëm së fundi, konkretisht me 15 dhjetor të këtij viti, Kuvendi arriti që të miratonte një rezolutë për këtë fazë të dialogut dhe atë pas gjashtë tentativave të dështuara si nga partitë në pushtet ashtu edhe nga ato në opozitë. Në fund me gjithë përpjekjet, konsensusi i gjerë mes partive politike për një rezolutë të përbashkët nuk u arrit pasi e njëjta gjeti mbështetjen e vetëm 59 deputeteve. Gjatë këtij viti Kuvendi nuk e ka diskutuar në seanca plenare as Raportin mbi Arritjet dhe Sfidat në Zbatimin e Marrëveshjeve te Brukselit i përpiluar nga Qeveria e Kosovës në Qershor 2018 dhe as Projekt Platformën Shtetërore për Finalizimin e Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila u soll nga Qeveria më 5 qershor 2018”, thuhet në komunikatë.

KDI thotë se këto dokumente janë diskutuar vetëm në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Back to top button