Furnizim i dyfishtë në formë unazore

Furnizim i dyfishtë në formë unazore

KEDS së shpejti do të nisë punimet për realizimin e 14 projekteve energjetike në Komunën e Ferizajit, që kapin një kosto prej 4 milionë eurove. Këtë e bëri të ditur drejtori i Investimeve të KEDS-it, Hasan Oz, gjatë takimit me zyrtarët komunalë të Ferizajit, ku u arrit marrëveshja finale mes palëve.

Sipas planit investiv, brenda në qytet do të ndërtohen linja të reja nëntokësore me qëllim të lidhjeve unazore mes trafostacioneve ekzistuese dhe pas përfundimit të nënstacionit nga ana e KOSTT, që pritet të përfundojë në vitin 2021, do të lidhet komplet rrejti i KEDS-it.

Pas Prishtinës, Ferizaj do të jetë qyteti që do të ketë furnizim të dyfishtë në formë unazore. Gjithashtu do të bëhen edhe riparimi i disa trafove ekzistuese.

Projektet pritet të përfundojnë në fund të këtij viti dhe për këtë KEDS ka angazhuar pesë kompani kontraktuese për kryerjen e punimeve në afat sa më të shkurtër kohor dhe pas kësaj Ferizaji do të ketë furnizim cilësor dhe 24 orë pa-ndëprerë energji elektrike. Pas përfundimit të këtyre projekteve energjetike do të përfitojë komplet qyteti Ferizajit dhe fshatrat që përfshihen me largpërçuesin e kampit Bondsteel”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Lulzim Aliu, drejtor i Urbanizmit dhe Mjedisit të kësaj komune falënderoi KEDS-in për investimet në infrastrukturën energjetike të komunës së tij në të mirë të qytetarëve.