KEDS: Furnizimi me energji elektrike për Mitrovicën do të kthehet në mbrëmje

Dje një trafo është përfshirë nga zjarri në Trepçë

KEDS, njofton se ka krijuar një zgjidhje për furnizim me energji elektrike të Mitrovicës dhe Trepcës, pas djegies së djeshme. “Zgjidhja ka të bëjë me riaftësimin e linjës së Vallaqit që gjendet në veri të vendit, për pjesën e furnizimit të qytetit dhe fshatrave përreth. Kjo është arritur edhe falë ndihmës dhe mbështetjes së institucioneve te vendit, Policisë e Kosovës për sigurinë e ofruar dhe KOSTT-in.” thuhet në njoftimin e KEDS

Sipas KEDS ekipet e punëtorëve të KEDS kanë arritur të shtrijnë sot gjatë ditës përcuesin në linjën 35 kV që vije nga nënstacioni i Vallacit për drejtim në nënstacionin e Mitrovica 2, ku po bëhet kycja për të furnizuar një pjesë të madhe të Mitrovicës dhe fshatrave përreth. “Pos përcuesit, janë vendosur edhe shtylla dhe pajisje të tjera të rrjetit, pasi linja ishte joaktive që nga paslufta. Kjo është arritur falë angazhimit të madh të punëtorëve të kompanisë, të cilët janë në terren së bashku me menaxhmentin përkatës që nga dita e djeshme kur ndodhi avaria në asetet e Trepcës.
Paralel me këtë, KEDS së bashku me KOSST në afat rekord kanë gjetur alternativë shtesë të furnizmit për konsumatorët e apostrofuar më lartë, pasi linja që vije nga veriu nuk ka kapacitete të mjaftueshme.”, bën të ditur KEDS

Po ashtu KEDS njofton se janë angazhuar numër i madh i punëtoreve si dhe kontraktoreve për të punuar në shtrirjen e përcuesit 35 kV nga nënstacionin i KOSTT-it në Vushtrri në drejtim të Trepcës, sikurse edhe nga Trepca në drejtim të Vushtrrisë, në mënyrë që të përfundojnë punimet sa më shpejtë të jetë e mundur. “Punimet në të dy anët janë në përfundim e sipër dhe nëse gjithçka shkon sipas planit pritet që furnizimi me energji elektrike për qytetarë të kthehet në mbrëmje. Situata e tillë është krijuar pas djegies së djeshme rreth mesditës të trafos së Trepcës, e lidhur me kapacitetet transmetimeve të KOSTT-it. Dëmi ishte i madh dhe është e pamundur të kthehet në punë. Në këto rrethana, KEDS bashkë me aktërët tjerë është vënë menjëherë në lëvizje. Fillimisht, është gjetur zgjidhje e furnizimit të minierës për t’i nxjerrë nga zgafella mbi 100 minatorë që kishin mbetur të ngujuar, pastaj për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe më të shpejta të furnizimit të konsumatorëve dhe kjo u arrit edhe falë bashkëpunimit të KOSTT dhe institucioneve të vendit.”, thuhet në komunikatën e KEDS.

​Qyteti i Mitrovicës për më shumë se 30 orë ka mbetur pa energji elektrike si pasojë e djegies së një trafoje në këtë qytet që ka ndodhur të martën rreth mesditës./21Media

 

Back to top button