Kelmendi: MSA-ja e vetmja mundësi për zhvillim të mëtejshëm

Kelmendi kërkon angazhimin e ambasadorëve të Kosovës për të sjell investitorë në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, mori sot pjesë në hapjen e punimeve të konferencës dy ditore me temë “Diplomacia Ekonomike & Made in Kosova”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Kelmendi ka kërkuar angazhim më të madh të ambasadorëve në promovimin e prodhimeve të Kosovës. Ai tha se zhvillimi ekonomik do të mundësoj që së shpejti këto ekonomi të jenë të gatshme edhe për eksport.

Ai edhe njëherë shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e Klubit të Prodhuesve në aktivitetet e tyre, sidomos në organizimin e panaireve ndërkombëtare, si një mundësi për tërheqjen e blerësve dhe informimin e investitorëve të mundshëm për tregun prodhues të Kosovës.

Kelmendi ka përmendur tatimin në fitim, që është 10 për qind dhe më i vogli në regjion, lirimin nga tatimi në fitim në tri vitet e para, taksat në të ardhura personale, që janë më pak se 15 për qind, dhe fuqia punëtore e Kosovës, që është e re, efektive, kualitative dhe profesionale.

Zëvendëskryeministri përmendi Ligjin për Investime Strategjike, si një mundësi e mirë që edhe vetë ambasadorët të hulumtojnë tregun e vendit ku janë akredituar, dhe të sjellin blerës në Kosovë.

Ai vlerësoi se MSA-ja është e vetmja mundësi për zhvillim të mëtejshëm.

“Mos nevoja për certifikim shtesë të produkteve evropiane, të cilat lirohen nga dogana me MSA, ka ndikuar pozitivisht edhe në tregun vendor.” ka shtuar Kelmendi./21Media

Back to top button