Vlerëson se zgjedhjet brenda partisë duhet të mbahen para datës 3 gusht

Vlerëson se zgjedhjet brenda partisë duhet të mbahen para datës 3 gusht

Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka dalë me një ide për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve për të parin e kësaj partie, në kohën kur vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Caktimi i datës së mbajtjes së Kuvendit zgjedhor të LDK-së më 3 gusht 2019, fillimisht ishte një datë e mirëzgjedhur,  por meqenëse gjendja politike aktuale e krijuar kërkon që këto zgjedhje të afrohen sa më shumë, në mënyrë që të përcaktohet kryetari i cili vazhdon apo merr përgjegjësi te reja, në varshmëri nga votat dhe kandidatura e ofruar”, shkruan Kelmendi në Facebook.

Në rastin e parë të rizgjedhjes së kryetarit aktual të LDK-së, Isa Mustafa, sipas deputetit Kelmendi, ia fuqizon edhe njëherë mbështetjen për të qenë më afër këtyre proceseve me rëndësi, por edhe në rastin tjetër i jep mundësi të rikuperojë LDK-në, për t’i shtyrë proceset e mëdha përpara.

“Politika vendore është e ndarë në dysh, rreth taksës, bisedimeve me Serbinë dhe temat aktuale që po ofrohen. Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare tregon që nevojitet një pjekuri politike e LDK-së për të ardhmen e vendit. Njëkohësisht është e njohur që deklaratat e ndryshme për temën e njëjtë dhe mundësia e ndërhyrjes për të përçarë anëtarësinë e LDK-së është më e madhe nëse koha është më e gjatë. Prandaj, sugjeroj që zgjedhjet me rëndësi për LDK-në në rend të parë dhe për Kosovën dhe qytetarët e saj në rend të dytë të mbahet më herët, para datës 3 gusht”, përfundon deputeti Kelmendi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë e ka caktuar datën 3 gusht për mbajtjen e kuvendit të përgjithshëm të kësaj partie, në të cilën do të bëhet edhe zgjedhja e kryetarit të ri të LDK-së.