Sot është shënuar 20-vjetori i çlirimit të Kosovës

Sot është shënuar 20-vjetori i çlirimit të Kosovës

Sot në kryeqytet në sheshin “Skëndërbeu” është mbajtur tubimi qendror për shënimin e 20-vjetotit të çlirimit të Kosovës, ku të pranishëm ishin edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ish-Sekretarja, Madeleine Albright, ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, kreu i shtetit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shumë emra të tjerë.

Të emocionuar për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit dhe vizitës së Clinton dhe Albright janë shprehur edhe shumë artistë të njohur shqiptarë, të cilët kanë zgjedhur rrjetet sociale të shprehin emocionet e tyre për këtë ditë.

Në mesin e shumë artistëve ishte edhe këngëtarja e njohur, Arta Bajrami, e cila përmes një postimi në instastory për ndjekësit e saj të shumtë është shprehur se sot në Kosovë kanë ateruar tre engjëjt mbrojtës të vendit tonë: Bill Clinton, Madeleine Albright dhe  Wesley Clark, shkruan rtv21.tv

“Pa ndihmën e tyre Kosova sot nuk do të ishte tokë shqiptare”, ka shkruar ndër të tjera Arta.

Sot 20 vjet trupat e NATO-s ishin futur në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë i kishte paraprirë një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë. Hyrja e trupave të NATO-s ishte bërë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova./21Media