Kjo shfaqje ka në fokus çiftet Smith the Martin

Kjo shfaqje ka në fokus çiftet Smith the Martin

Salla prej 530 ulësesh e shtëpisë së Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, ishte e mbushur plot me dashamirë të teatrit, të mbledhur për të parë shfaqjen e parë në kuadër të Teatrit në Themelim të Kaçanikut. “Këngëtarja leshatuke” shkruar nga Eugen Ionesco me regji të kaçanikasit Ben Apolloni, për një orë, mbajti të argëtuar publikun, që përbëhej nga vendas e mysafirë.

Kjo shfaqje, e cilësuar e teatrit absurd, ka në fokus çiftet Smith the Martin, të cilët përmes diskutimeve të përsëritura, shprehin absurditetin e qenies njerëzore, duke satirizuar me gjuhën dhe zbrazëtinë e bisedave të përditshme. Karaktereve u dhanë aktorët jetë Arjola Demiri, Lulzim Rexha, Qëndresa Loki, Lulzim Ballazhi, Osman Isa dhe Lind Berisha, të cilët u duartrokitën gjatë nga publiku.

Pas përfundimit të shfaqjes, regjisori Ben Apolloni tha se rikthimi i tij pas 12 vitesh me shfaqje në Kaçanik, është shumë emocionues.

“Asnjëherë në karrierën time nuk kam pasë një emocion sikur sonte. Ideja e krijimit të teatrit në qytetin tonë është histori. I falënderoj qytetarët për përkrahjen e vazhdueshme” tha Apolloni.

Shfaqja “Këngëtarja leshatuke” do të reprizohet më 2 dhe 3 gusht, e pas kësaj, regjisori thotë se do ta dërgojnë edhe në qytete tjera.  Kjo shfaqje ishte dedikim për regjisorin tashmë të ndjerë, Bekim Lumi./21Media