Presidentja dekoron me Medalje Presidenciale, organizatën “Jeta-Vita” dhe Ernesa Xhafën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur në Presidencë, në vazhdën e aktiviteteve për vetëdijesim dhe trajtim të kancerit të gjirit, me motivacionin për promovimin e vlerave humane dhe integritetit profesional ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, organizatën “Jeta-Vita” dhe onkologen Ernesa Xhafa, e cila punon në Britani të Madhe.
Osmani ka vlerësuar punën e kësaj organizate, ndaj ka theksuar se guximi në veprim shpëton jetë, sikurse edhe informimi i drejtë që mundëson vetëdijesimin dhe mbrojtjen nga kanceri i gjirit. Sipas saj, angazhimi për vetëdijesim dhe trajtim të kancerit, duhet të jetë aktivitet përgjatë gjithë vitit.
“Synimi i organizatës është më se i qartë: kanceri i gjirit, të zbulohet, të trajtohet dhe informatat të arrijnë te secila grua dhe në të gjitha shtëpitë kosovare”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq onkologia Xhafa me angazhimin e saj profesional dhe kontributin vullnetar ka ofruar ndihmë të pakursyeshme ndaj pacientëve kosovarë të prekur me kancerin e gjirit.
“Puna e doktoreshës Ernesa është frymëzim për të gjithë njerëzit, për ata që u sfiduan nga kanceri dhe ata që po sfidohen. Kjo dëshmon se përpjekja dhe guximi e bëjnë të mundshme ngadhënjimin, kur e ke afër një humaniste si doktoresha Ernesa”, është shprehur Osmani.
Tutje, Presidentja Osmani ka shfaqur shpresën se Organizata “Jeta-Vita” dhe onkologia Ernesa Xhafa do ta vazhdojnë angazhimin e tyre humanitarë edhe më tej, duke zvogëluar dhimbjen njerëzore, duke shpëtuar jetë dhe duke rritur ndërgjegjësim për rrezikun nga kjo sëmundje./21Media

Back to top button