Pacolli në Berlin

Pacolli në Berlin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme në detyrë, Behgjet Pacolli, të premten, gjatë fjalimit të tij në Konferencën Ministrore që po mbahet në Berlin, dhe e cila synon të frenojë tregtinë e paligjshme të armëve dhe të sjellë armët nën kontroll në Ballkanin Perëndimor, ka siguruar mbështetjen e plotë të Kosovës për nismën gjermano-frënge për zbatimin e hartës për kontroll gjithëpërfshirës të armëve të vogla dhe të lehta.

Pacolli ka thënë arsenalet e paligjshme paraqesin një rrezik të madh sigurie për popujt në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën në tërësi, dhe më kërkesë për të lënë politikën menjanë, ka porositur se është nevoja që bashkërisht të përqendrohen për të siguruar rezultate të prekshme, por edhe adresimin e duhur të problemeve me të cilat përballet rajoni.

“Kërcënimi më i madh me të cilin rajoni ynë përballet sot përsa i përket sigurisë është tregtimi i paligjshëm i armëve nga shteti serb dhe përdorimi i teknologjisë ushtarake për të krijuar aftësi përgjimi nga Beogradi, që do të përdoren në vendet fqinje me ndihmën e aktorëve të tretë”, ka thënë Pacolli.

Shefi i diplomacisë kosovare ka thënë se Kosova ka qenë e zëshme dhe e qartë në kundërshtimin e veprimtarive serbe të shitjes së armëve dhe ka kërkuar që Evropa ta bëjë të njëjtën gjë, ta kundërshtojë këtë menjëherë dhe të sigurojë që stabiliteti dhe paqja të mbizotërojë në Ballkanin Perëndimor.

“Kosova është pjesë e inciativës dhe do të ndërmarrë veprime nacionale, bilaterale dhe shumëpalëshe për të frenuar tregtinë e paligjshme të armëve dhe për të sjellë armët nën kontroll. Armët e paligjshme janë kërcënim për sigurinë publike dhe kombëtare të secilit shtet, pra edhe për Kosovën, dhe janë një rrezik për stabilitetin rajonal”, ka thënë Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, i cili në Konferencën Ministrore në Berlin mori pjesë me ftesë të Ministrave të Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës./21Media