Arrestohet një person

Arrestohet një person

Vullnetarët e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve janë sulmuar dhe kërcënuar me armë të ftohta sot në qytetin e Prizrenit.

Lidhur me këtë rast zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi ka konfirmuar për portalin tv21.tv se një person është arrestuar.

Veseli  ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si “sulm” dhe i dyshuari është ndaluar në polici për 48 orë, tek i njëjti janë gjetur një shufër bejsbolli edhe një thikë. Po ashtu ka treguar se nuk raportohet për të lënduar.

Lajmin  po ashtu e ka bërë të ditur organizata “EC Ma Ndryshe” përmes një postimi në “Facebook”.

Sipas këtij shkrimi personi i cili tashmë është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës ka demoluar shtandin e peticionit me shkop bejsbolli dhe ka kërcënuar dy vullnetaret duke fotografuar fytyrat e tyre, dhe duke vazhduar pastaj kërcënimin me anë të thikës.

Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, e ka cilësuar këtë rast si cenim të demokracisë.  “Sulmi ndaj aktivitëve të shoqërisë civile është i papranueshëm dhe organet kompetente nuk duhet të trajtojnë si rast të zakontë por si rast që e cenon mendimin e lirë dhe demokracinë”, tha ai.

Policia në kordinim me prokurorinë po e hetojnë rastin./21Media