I dyshuari kishte adresuar mesazhe kërcënuese ndaj tij

I dyshuari kishte adresuar mesazhe kërcënuese ndaj tij

Në Pejë është arrestuar një person i dyshuar për kanosje të një punonjësi në burgun e Dubravës. I dyshuari kishte adresuar disa mesazhe kërcënuese ndaj tij.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë, Stacioni Policor në Istog, me datën 8 mars ka pranuar informacione lidhur me një rast të kanosjes, ku një person i dyshuar kishte adresuar disa mesazhe kërcënuese ndaj një punonjësi në burgun e Dubravës. Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë, konkretisht Njësiti Rajonal i Hetimeve, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për të hetuar dhe për të zbardhur rrethanat lidhur me rastin e kanosjes, si dhe ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar F. S. (1959).”, bëhet e ditur në komunikatën e policisë.

Më tej në komunikatë bëhet e ditur se njësitet relevante policore, me urdhëresë të gjyqtarit të procedurës paraprake, gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit kanë gjetur një armë të tipit Zastava dhe një karikator, si dhe telefoni i të dyshuarit.

“Hetuesit rajonalë kanë arrestuar të dyshuarin e lartcekur dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, për të vazhduar me procedura ligjore të mëtutjeshme.”, bëhet e ditur më tej në komunikatë./21Media