RrGGK sot shpërndanë broshurat “Voto për më shumë gra në Parlament” në Prishtinë

RrGGK sot shpërndanë broshurat “Voto për më shumë gra në Parlament” në Prishtinë

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës sot do të shpërndajë broshurat “Voto për më shumë gra në Parlament” në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë me fillim nga ora 12:30 deri më 13:30.

Në kuadër të kësaj fushate anëtaret e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës janë takuar ditë më parë me qytetarë të shumtë, me të cilët kanë diskutuar për rëndësinë e votimit të më shumë grave në Parlament, shkruan rtv21.tv

Rreth 200 vullnetarë për pesë ditë kanë biseduar me qytetarë duke shkuar në mbi 15 komuna të Kosovës, përfshirë komunat serbe. Gjilani, Lipjani, Skenderaj, Obiliqi, Peja dhe Vushtrria janë vetëm disa nga komunat në të cilat u shpërndanë broshurat dhe u zhvilluan takimet derë më derë me qytetarët.

Në takimin ku u prezantua fushata, drejtoresha e RrGGK-së, Igballe Rugova, tha se përmes kësaj fushate po kërkohet barazi për përfaqësimin në Parlament.

Meqenëse partitë politike nuk po e zbatojnë Ligjin për Barazi Gjinore ku kërkohet 50% përfaqësim i barabartë, atëherë falë kësaj fushate qytetarët kanë mundësi që të votojnë për më shumë gra në parlament dhe në këtë mënyrë të zbatojnë këtë ligj”, pati deklaruar Rogova.

Ligji për Barazi Gjinore garanton përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha fushat, përfshirë atë politike.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës tash e sa vite fuqishëm mbështet, mbron dhe promovon të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në Kosovë. Nëpërmjet financimit të organizatave anëtare, RrGGK ka dhënë kontribut të madh në aftësimin e grave për punë, njohjen e tyre me të drejtat në punë dhe pronë, përfshirë gratë nga vendet rurale si p.sh në fshatrat e Prevallës./21Media