Kërkohet bashkëpunim më i madh midis institucioneve dhe odave ekonomike

Sipas Hamzës, punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli sot, në konferencën “Dialogu publiko-privat në funksion të zhvillimit të sektorit privat”, ka thënë se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, përveç qëndrueshmërisë institucionale, duhet të ketë edhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Duke kërkuar bashkëpunim më të madh midis odave ekonomike dhe institucioneve, kryeparlamentari Veseli ka deklaruar se ka pritur ndikim më të madh të shoqatave të bizneseve.

Sot jemi këtu bashkërisht për të diskutuar dhe për të bërë përpjekjet publike për modernizimin e ekonomisë së Kosovës. Institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e ndërmarrësisë mund të arrijnë të zhvillojnë një ekonomi shumë më kontribuuese. Nëse vazhdojmë kështu, rrezikohet rinia dhe mund të kemi degradim demografik. Kam pritur që odat ekonomike të jenë më influencuese. Odat ekonomike mund të përcaktojnë politikat tona dhe tani kemi disa iniciativa dhe kjo është shumë mirë”, ka theksuar kryeparlamentari Veseli.

Kreu i legjislativit të Kosovës ka bërë të ditur se janë në procedurë një varg projektligjesh, të cilat lehtësojnë veprimtarinë prodhuese e biznesore.

Në funksion të kësaj, Veseli ka thënë se çdo iniciativë e odave ekonomike të Kosovës, do të gjej përkrahjen e institucioneve, ngase, siç ka deklaruar ai, nuk ka asgjë më prioritet sesa zhvillimi ekonomik.

Kurse, ministri i Financave, Bedri Hamza ka folur për lehtësirat që qeveria ka krijuar për bizneset viteve të fundit dhe impaktin pozitiv që ato kanë pasur në zhvillimin e tyre. Hamza ka thënë se punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat e rrjedhimisht edhe kontribuuesi kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit.

Ndërsa, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka theksuar se është i lumtur që sot Kosova ka arritur të marrë një drejtim të mirë, me gjykatën komerciale. Ai ka thënë se kjo gjykatë do të jetë adresë e cila do ta rrisë efikasitetin e drejtësisë për bizneset.​

Kryetari i Odës Ekomomike, Berat Rukiqi, i cili njeherësh moderoi konferencën, ka deklaruar se me politikat publike, ka lëvizje të qartë të fuqisë punëtore drejt vendeve të tjera. Ai e ka konsideruar të domosdoshme ndërmarrjen e masave për ndalimin e kësaj ikjeje, duke krijuar kushte për punë brenda Kosovës.

Sipas komunikates për media, të pranishëm në konferencë  ishin edhe përfaqësuesve të bizneseve, të cilët parashtruan pyetje dhe adresuan disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen gjatë të bërit biznes në vend. /21Media 

 

Back to top button