Kërkohet implementimi i pakos Fiskale 2.0

Sipas organizatave biznesore përmes kësaj pakoje, prodhuesit vendor do të jenë të barabartë me të rajonit

Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës fillimin e implementimit të gjitha pikave të pakos Fiskale 2.0.

“Ne si organizata kemi investuar kohë dhe mjete të konsiderueshme në përpilimin dhe përgatitjen e pikave të përfshira në këtë pako. Po ashtu ndërmarrjet prodhuese në Kosovë e kanë planifikuar planin e punës duke u bazuar në zbatimin e kësaj pakoje. Andaj, çdo vonesë e mëtutjeshme në zbatimin e kësaj pako nuk është e justifikueshme dhe do të ketë implikime negative në operimin e ndërmarrjeve prodhuese duke i bërë më pak konkurrente në tregun e Kosovës”, thuhet në kërkesë.

Aty theksohet se përmes kësaj pakoje, prodhuesit vendor do të jenë të barabartë me prodhuesit e rajonit dhe këto masa do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e prodhimeve ‘Made in Kosova’ në treg, rritje të punësimit si dhe rritje të të hyrave për institucionet e Kosovës.

“Kërkojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave të fillon të implementon këtë pako menjëherë dhe pa ndryshime të mëtutjeshme”, theksohet në kërkesën e KPK, OEK, OEAK dhe OEGJK.

Back to top button