Reagime lidhur me rastin e rregullimit të bustit të Skënderbeut

Reagime lidhur me rastin e rregullimit të bustit të Skënderbeut

Shoqata e Intelektualëve Mbarshqiptarë “Trojet e Arbrit“, ka reaguar me rastin e ndalimit të udhëheqësve të “Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar”. Sipas kësaj shoqate kjo është vandalizëm.

“Ka disa muaj që persona të panjohur kanë shkatërruar shkronjat në monumentin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Për këtë vandalizëm s’ka pas asnjë reagim as nga policia e Kosovës as nga institucionet përgjegjëse, qoftë për ta bërë dënimin e masakruesve të shkronjave të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, dhe për t’i kapur ata e futur para drejtësisë, qoftë për të bërë rregullimin e shkronjave dhe emrit në mënyrën e duhur nga ana e Institucioneve të Kosovës. Kështu që fillimisht Shoqata “Trojet e Arbrit” falënderon dhe përkrah “Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar”, për marrjen e iniciativës dhe vendosjen e shkronjave në vendin e duhur. Kjo është bërë për shkak të neglizhencës së institucioneve të Kosovës, të cilët edhe pse për ditë kalojnë nëpër sheshin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Prishtinë, por e kthejnë kokën në anën tjetër pë r të mos parë këtë vandalizëm. Është brengosës fakti se si Policia e Kosovës muaj të tërë nuk arritën që t’i kapin aktorët e rastit vandal, e në anën tjetër burgosin udhëheqësit e “Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar”, të cilët bënë një gjest simbolik dhe atdhetar. Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë “Trojet e Arbrit” fton Policinë e Kosovës që sot t’i lëshojë në liri veprimtarët kombëtar, dhe t’iu kërkojë falje për këtë arrestim të pakuptimtë”, thuhet në reagimin e kryetarit të Shoqatës së Intelektualëve Mbarshqiptarë “Trojet e Arbrit”, Nue Oroshi.

Ndryshe sot Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar ka rregulluar disa shkronja dhe numra të monumentit të heroit Gjergj Kastrioti në Prishtinë, si dhe kanë vendosur dy elemente tjera kombëtare, flamurin kombëtar dhe hartën e Shqipërisë së. Policia e Kosovës e ka konsideruar si veprim të jashtëligjshëm si dhe ka shoqëruar për stacionin policor, kryetarin Tahir Veliu dhe disa anëtarë të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar për këtë veprim./21Media