Kosova ka punësimin më të vogël të femrave në rajon dhe Evropë

Kosova ka punësimin më të vogël të femrave në rajon dhe Evropë

​Shkalla e ulët e punësimit të femrave dhe rekomandimet për ndryshimet në ligjin e punës, përkatësisht nenin 49 që rregullon pushimin e lehonisë, ishin temat kryesore në takimin e OAK-ut me kryetaren e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Duda Balje.

Gjatë këtij takimi deputetja Balje u njoftua me statistikat shumë shqetësuese të cilat OAK ka siguruar dhe që tregojnë një shkallë shumë të ulët të punësimit të gjinisë femërore, me vetëm 12% në krahasim me 48% të meshkujve, e cila vjen si pasojë e ligjeve të papërshtatshme.

Përfaqësuesit e OAK-ut i prezantuan deputetes Balje analizën e bërë sa i përket rregullimit të çështjes së pushimit të lehonisë dhe krahasimin me vendet e rajonit, duke paraqitur rekomandimet përkatëse për Qeverinë e Kosovës.

OAK kërkon që pushimi i lehonisë të mbulohet 100% nga shteti, ashtu siç kanë bërë shumë vende të rajonit dhe Evropës dhe që ka ndikuar në rritjen e punësimit të femrave.

Ndërsa, deputetja Balje tha se do të përkrahë çdo iniciativë, e cila kontribuon në përmirësimin e gjendjes aktuale dhe ka të bëjë me kompetencat e komisionit që ajo përfaqëson, dhe se në lidhje me pushimin e lehonisë, komisioni do të ftojë edhe ministrin e Punës për diskutim dhe OAK për të paraqitur rekomandimet e tyre.

Ndryshe, Kosova ka punësimin më të vogël të femrave në rajon dhe Evropë. Nga rreth 600.000 femra të afta për punë në Kosovë, vetëm 69.000 janë të punësuara.