Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për grabitje dhe kanosje

I dyshuari ka përdorur dhunë fizike ndaj SH.A

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata Themelore që të dyshuarit H.K. t’ia caktojë masën e paraburgimit për shkak të dyshimit të veprave penale grabitje dhe kanosje.

Në komunikatë bëhet e ditur se i dyshuari më 11 shkurt 2019, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme në mënyrë të kundërligjshme, ka përdorur dhunë fizike ndaj SH.A. dhe me forcë e ka grabitur automjetin e të dëmtuarit dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

“I dyshuari e ka kanosur seriozisht me fjalë të dëmtuarin, duke i thënë se në qoftë se vjen policia në shtëpinë time, ka me të vra, duke shkaktuar te i dëmtuari ankth dhe frikësim”, bëhet e ditur në komunikatë.

Prokuroria ndaj tij, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, pasi ka konsideruar që masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për përfundimin e suksesshëm të hetimit të kësaj çështje. /21Media 

Back to top button