Kërkohet paraburgim për të dyshuarin për vrasje në Prizren

Vdiq një polic në detyrë dhe pësuan lëndime disa të tjerë

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se mbrëmë rreth orës 20:00 të mbrëmjes, gjatë një operacioni bastisjeje në shtëpinë e të dyshuarit I.B., nën dyshimin për dhunë në familje dhe posedim të substancave narkotike, në fshatin Zhur ka ndodhur një shpërthim, ku si pasojë e këtij shpërthimi kanë pësuar lëndime tre zyrtarë policorë dhe një fëmijë (nga familja e të dyshuarit).

Si pasojë e lëndimeve zyrtari policor me inicialet S.Th., ka ndërruar jetë, ndërsa dy zyrtarët tjerë policorë me inicialet A.M, dhe J.H., si dhe fëmija gjenden të shtrirë në spital nën përkujdesje intensive mjekësore, por jashtë rrezikut për jetë.

“Gjatë veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë, është arrestuar i dyshuari me inicialet I.B, për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, me urdhër të prokurorit, i dyshuari I.B, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, kurse gjatë ditës pritet që në Gjykatën Themelore në Prizren për të njëjtin të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prizren, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

Back to top button