Prokuroria konfirmon arrestimin e vëllait të kryetarit të Vushtrrisë

Prokuroria konfirmon arrestimin e vëllait të kryetarit të Vushtrrisë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar zyrtarisht se njëri nga dy personat e arrestuar mbrëmë në Vushtrri, është vëllai i kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Departamenti i Krimeve të Rënda, në një komunikatë për media ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për dy të ndaluarit, S.T  dhe Sh.K. nga Vushtrria, të dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

Në këtë komunikatë shpjegohet edhe se si ka ardhur deri tek ndalimi i tyre. “Ndalimi i dy të dyshuarve ka ardhur pas një video-incizimi të publikuar nëpër media, e në të cilat incizime pretendohet se dëgjohet S.T, i cili është vëllai i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xh.T”, thuhet në komunikatë.

Në këtë njoftim thuhet se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, ka urdhëruar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e këtij video-incizimi.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Pas publikimit të këtij videoincizimi, kishte reaguar i pari i Vushtrrisë, që e kishte cilësuar si shantazh dhe fushatë të ultë nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës. “Kam refuzuar dhe do të refuzoj t’i nënshtrohem krimit dhe shantazhit. Asgjë e prezentuar në këtë video nuk është me dijen time e as me pjesëmarrjen time. Jam zotuar para qytetarëve të Vushtrrisë për zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe do të vazhdoj t’i përmbahem këtij zotimi. Do të bashkëpunoj me organet e rendit dhe ligjit që të ndiqen deri në fund të gjithë ata që keqpërdorin besimin tim dhe shkelin ligjin. Përgjegjësia është individuale dhe i bëjë thirrje organeve të rendit që menjëherë të fillojnë hetimet për këtë rast dhe kushdo qoftë i përfshirë le të merr dënimin sipas ligjit. E gjithë kjo do të sqarohet ditëve në vazhdim. Spekulimeve të tilla që përdoren në fushata nga paniku i humbjes do ti përgjigjem me argumente dhe para organeve të drejtësisë.”, kishte shkruar ndër tjerash Tahiri në reagimin e tij. /21Media