Instituti EduMedia me një mesazh për fillimin e vitit të ri shkollor

Instituti EduMedia me një mesazh për fillimin e vitit të ri shkollor

Instituti EduMedia sot në fillimin e vitit të ri shkollor ka ritheksuar nevojën për përfshirjen e lëndës për Edukim Medial në plan-programet e arsimimit të mesëm të ulët.

“Me fillimin e vitit të ri shkollor, Instituti EduMedia dëshiron të potencojë edhe një herë nevojën urgjente për përfshirjen e Edukimit Medial në shkollat fillore të Kosovës”,  thuhet ndër të tjera në komunikatën për media të Institutit EduMedia.

EduMedia konsideron që ky vit shkollor të shfrytëzohet për të marrë vendimin e shumëkërkuar dhe të shumënevojshëm, futjen e lëndës së Edukimit Medial në plan-programet shkollore.

Instituti EduMedia vlerëson se është nevojë urgjente përfshirja e kësaj lënde në plan-programet shkollore, për shkak të ekspozimit enorm të fëmijëve ndaj rreziqeve të ndryshme nga përmbajtjet e papërshtatshme dhe të rrezikshme në medie.

“Për të mbrojtur fëmijët, nga dezinformatat, nga dhuna e shfaqur në medie apo çfarëdo përmbajtje tjetër mediale negative, ata duhet të aftësohen që të kenë gjykim kritik dhe aftësi për t’u shmangur nga rreziqet“, thuhet tutje në komunikatë.

Tash e disa muaj, ligjëruesë të Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës “Hashan Prishtina” në bashkëpunim me SBASHK-un po mbajnë trajnime të mësimdhënësve për edukim medial, ndërkohë Instituti EduMedia potencon nevojën që të ndërmerren hapat për ta përfshirë edukimin medial si lëndë obligative në arsimin formal./21Media