Kërkohet që edhe punëtorët e pastrimit të përfshiren në pakon emergjente

“Let’s Do It Kosova” kërkon nga Qeveria ta rishqyrtojë pakon emergjente fiskale

Organizata “Let’s Do It Kosova” e sheh me shqetësim mospërfshirjen e punëtorëve të Kompanive të Pastrimit në pakon emergjente fiskale, të miratuar nga qeveria në detyrë.

“Let’s Do It Kosova” kërkon urgjentisht nga Qeveria e Kosovës ta rishqyrtojë pakon emergjente fiskale dhe doemos brenda saj të fus edhe punëtorët e pastrimit.

“Prej vitesh, organizata kërkon që ata të marrin pagën e merituar dhe jo lëmoshën të cilën e gëzojnë aktualisht. Shpresojmë se kjo që ka ndodhur është më tepër një keqkuptim apo harresë sesa një e vërtetë. Përndryshe ky do ishte një lëshim shumë i madh nga Qeveria e Kosovës. Kushtet e tyre të punës dhe pagat që i marrin ndër vite lënë shumë për të dëshiruar. Ndërsa puna që ata kryejnë është e pakrahasueshme. Përtej rrezikut dhe sëmundjes. Dhe sikur nuk mungonte vetëm kjo, këta punëtorë nuk janë pjesë as e Pakos Emergjente të cilën e ka ndarë Qeveria e Kosovës për të shpëtuar vendin nga e ashtuquajtura “epidemia ekonomike”, drejt të cilës është duke shkuar vendi ynë në këtë situatë pandemie. Let’s Do It Kosova ka vite që monitoron dhe angazhohet në përmirësimin e  gjendjes së mjedisit në Kosovë dhe gjithmonë në theks të veçante ka vendosur nevojën e trajtimit në një nivel tjetër të punëtorëve të Kompanive të Pastrimit”, thuhet në komunikatën e “Let’s Do It Kosova”./21Media

Back to top button