Pas marrjes së raportit mjekësor nga Instituti Zviceran

Pas marrjes së raportit mjekësor nga Instituti Zviceran

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i konsideron serioze të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë sa i përket rrethanave të humbjes së jetës së Astrit Dehari, ish aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ekspertiza në rastin Dehari, dëshmi që shteti i Kosovës i shkeli atij të drejtën në jetë.

Sipas GLPS, fakti që institucionet e Kosovës nxituan të nxjerrnin konkluzione që janë plotësisht në shpërputhje me të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë është tejet shqetësuese, dhe rast për hetim të thellë jo vetëm të rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit por edhe të vet prokurorëve, policëve e zyrtarëve tjerë shtetëror të Republikës sonë që me kaq shumë lehtësi e cilësuan rastin si Vetëvrasje.

“Dëshirojmë të theksojmë që të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore janë dëshmi që shteti i Kosovës i shkeli Astrit Deharit të drejtën në jetë, duke mos i dhënë mbrojtje minimale në kohën sa ai mbahej në paraburgim. Arsyeja e mbajtjes së tij në paraburgim – e cila shoqërohet me faktin që ai ishte aktivist i një partie politike në opozitë – e shton edhe më shumë përgjegjësinë e shtetit në raport me pasojën e prodhuar. Gjithashtu, dështimi i organeve të ndjekjes penale, dhe nxitimi i tyre në cilësimin e rastit, është tregues i një papërgjegjësie dhe qëllimit kriminal. Asgjë më shumë sesa një e vërtetë e validuar me fakte të mjekësisë ligjore nuk i duhej publikut dhe familjes Dehari, por mënyra si veproj Prokurori i Shtetit dhe njësitë tjera shtetërore e demonstruan pikërisht të kundërtën. Prandaj, GLPS kërkon që rrethi i hetimit të kësaj çështjeje të zgjerohet, duke përfshirë të gjithë zyrt arët shtetëror (përfshirë prokurorë, policë e mjekë ligjor) të cilët kontribuan në cilësimin e rastit dhe nxjerrjen e një konkluzioni hetimor që sot del të ketë qenë i pambështetur në fakte e prova shkencore e kriminalistike. Vetëm sjellja para drejtësisë e tërë zingjirit që e sollën këtë situatë mund të sanoj pasojën e krijuar. Thirrjet për hetim të rastit nga shtete të huaja nuk duhen të shërbejnë si metodë për heqje të përgjegjësisë, përkundrazi është koha që me asistencën e huaj prokurorë vendor të jenë ata që i dalin ballë krimit që ka ndodhur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

GLPS gjithashtu konsideron që gjykatat relevante në Kosovë duhet të përcaktojnë përgjegjësinë shtetërore në rastin Dehari, duke gjetur prokurorinë e shtetit, sistemin gjyqësor dhe organet tjera të përgjegjshme për shkeljen e të drejtës në jetë të Astritit, gjë që garantohet me nenin 2 të konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas kësaj organizate, neglizhenca e qëllimshme ose paqëllimshme e organeve ekzekutive në raport me këtë rast, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, duhet sjellur para drejtësisë gjithashtu.

“Kosova nuk mund të lejojë që rastet e vrasjeve të konkludohen si vetëvrasje, dhe që kjo të bëhet përmes një sistemi të organizuar prokurorial e shtetëror”, thuhet në reagimin e organizatës

Sipas konkluzioneve të para, babai i Astritit, Avni Dehari në një prononcim për media tha se bëhet fjalë për vrasje. Raporti zviceran konstaton se Astrit Dehari dyshohet që është vrarë.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e kishte konsideruar vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e kishin cilësuar vrasje. Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran./21Media