Numri i personave që kërkojnë ndihmë ka rënë për shkak të ofrimit të shërbimeve profesionale

Numri i personave që kërkojnë ndihmë ka rënë për shkak të ofrimit të shërbimeve profesionale

Këtë vit po shpresojmë të finalizohet njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe të fillon skema e pensionit personal siç parashihet me ligj. Kështu ka deklaruar kryetarja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti me rastin e shënimit të 18 vjetorit të themelimit të kësaj qendre.

Me qëllim të familjarizimit të nxënësve me konceptet bazike me të drejtat e njeriut në shënimin e 18 vjetorit të themelimit, ambientet e punës së QKRMT-së, sot kjo qendër u vizituan nga një grup nxënësish të shkollës fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë, ku u njoftuan nga afër me punën e QKRMT-së dhe morën njohuri bazike për grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Rushiti me këtë rast tha se ndjehet mirë për që sado pak me punën e tyre të pareshtur kanë arritur që sadopak të zbusin dhimbjen dhe plagët e viktimave të luftës, ndërsa është shprehur optimiste që brenda këtij viti personat e atakuar nga lufta të marrin pensionet që u takojnë.

“Është një punë e treguar ndër vite, ku përtej numrit të vizitave të realizuara, shërbimeve të ofruara, ne ndjehemi mirë që kemi arritur që sado pak të zbusim dhimbjet dhe plagët e luftës të personave që janë atakuar direkt nga lufta, qoftë familjarët e tyre, të dashurit e tyre, përmes aktiviteteve të ndryshme… Një rëndësi e veçantë iu takon edhe shërbimeve avokuese apo lotuese në përmirësimin e infrastrukturës ligjore. Tani në 18 vjetorin e saj, QKRMT ndjehet mirë që të paktën viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës po arrijnë të jetësohen dhe t’iu kthehet statusi i merituar në shoqëri. Këtë vit po shpresojmë të finalizohet njohja e statusit të viktimave të  dhunës seksuale dhe të fillon skema e rekreacionit apo pensionit personal siç parashihet me ligj”, tha ajo.

Sipas saj, përgjatë 18 vjetëve punë, QKRMT ka ofruar shërbime interdiciplinare për mijëra persona, përderisa ka theksuar se numri i atyre që kërkojnë ndihmë ka rënë për shkak të ofrimit të shërbimeve profesionale duke ofruar qasje adekuate nga psikologu, sociologu dhe juristët.

Ndryshe, QKRMT ka shënuar 18 vjetorin e themelimit edhe me përmbylljen e trajnimit të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimit e viktimave të dhunës seksuale, si dhe veteranëve, invalidëve dhe viktimave civile të luftës me idenë që ata të përgatiten për plotësimin e aplikacioneve që të marrin pensionet që iu takojnë.

QKRMT ka për synim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke luftuar çfarëdo forme të shkeljes apo abuzimit me to./21Media