Si pasojë e ndotjes së ujërave të lumenjve kanë pësuar edhe bagëtitë

Si pasojë e ndotjes së ujërave të lumenjve kanë pësuar edhe bagëtitë

Gjatë javëve të fundit, Shoqata e Peshkatarëve “Drini i Bardhë” dhe Federata e Peshkatarëve të Kosovës, kanë ngritur shqetësimin për ngordhjen e peshkut në Lumbardh respektivisht në Drinin e Bardhë si pasojë e ndotjes së ujërave.

Në bazë të njoftimeve të shoqatës dhe federatës përkatëse dyshohet se si pasojë e helmimit kanë ngordhur sasi të konsiderueshme të peshkut, në ujërat nga fshati Muradem deri në fshatin Dobrusht të Prizrenit.

Po ashtu është theksuar se në këtë rast si pasojë e ndotjes së ujërave të lumenjve kanë pësuar edhe bagëtitë. Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka reaguar ndaj ngordhjes së peshqve në lumin Dri, duke theksuar se “sipas peshkatarëve, ngordhja e peshqve ka ndodhur për shkak të kontaminimit të ujit të lumenjve të kësaj ane, nga hedhja e mbeturinave të kompanive të ndryshme, që veprojnë në komunën e Prizrenit”.

Pas raportimit të mediave lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë çështje, në fillim të kësaj jave në terren kanë dalë edhe zyrtarët e institucioneve të ndryshme.

“EC Ma Ndryshe” përmes një reagimi për media thotë se duke pasur parasysh seriozitetin e kësaj çështjeje i bën thirrje organeve kompetente që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet konform përgjegjësive të tyre ligjore për hulumtimin e plotë të këtij rasti dhe ndërmarrjen e masave adekuate në zbatim të ligjit dhe parandalimit të ndotjes së ujërave dhe mjedisit.

Gjithashtu fton organet kompetente që t’i publikojnë udhëzimet e duhura për komunitetin ashtu që të mbrohet shëndeti i njerëzve dhe faunës, sikurse që ti bëjnë publike edhe rezultatet e analizave dhe hulumtimit të shkaktarit të ngordhjes së peshqve dhe bagëtisë, në mënyrë që të merren masat adekuate që rastet e tilla të mos përsëriten më.
Projekti “Monitoruesi Mjedisor” përkrahet financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)