Mblidhet Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Mblidhet Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Shqyrtimi i draft-rregullores për përdorimin e sistemit për menaxhimin informativ të lëndëve ishte pika kryesore, e cila u diskutua sot në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Menaxheri i lëndës, Fatmir Rexhepi u shpreh se janë në fazën e fundit të implementimit të draft-rregullores dhe se ky proces do të përfundojë deri në fund të muajit nëntor. Ndër tjera ai tha se për këtë kanë marrë model përvojat e disave nga vendet e rajonit dhe se ky sistem është treguar i suksesshëm.

“Për informim tuaj për përgatitje të rregullores janë marrë parasysh edhe përvojat, rregulloret e disa shteteve me rëndësi, të cilat vetëm e kanë tejkaluar me sukses këtë proces. Kemi analizuar shembull, modelin e Italisë, Kroacisë, Bosnjës, marrë parasysh edhe rregulloren e përdorimit edhe të shtetit të Moldavisë”, u shpreh Rexhepi.

Ndërsa sekretari i Këshillit për çështje inovative, Armend Berisha u shpreh se ky sistem po tregohet i suksesshëm edhe në gjykatat e Kosovës. Ndër tjera ai tha se janë duke shërbyer si model për shfrytëzimin e teknologjisë dhe se ka avancim të madh sa i përket kësaj çështjeje.

“Ju njoftojë se ne jemi duke shërbyer edhe si model ndoshta edhe për shtetet e rajonit për përdorimin e teknologjisë informative, ku shpejt Këshilli Gjyqësor do të ketë një vizitë nga Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut”, tha Berisha.

Anëtarët e këtij këshilli në këtë mbledhje u dakorduan që Paneli për Shqyrtimin e Aplikacioneve për kandidatët për gjyqtar në Divizionin e Gjykatës së Apelit-Mitrovicë të përbëhet nga Gyltene Sylejmani, Kujtim Paçuli, Nena Vllaçiq, Nehat Idrizi dhe Qerim Fazliu.