Për herë të parë pas bllokadës nga Franca

Për herë të parë pas bllokadës nga Franca

Këshilli për punë të përgjithshme i BE-së, nuk parasheh konkluzione konkrete. Do të ketë vetëm shkëmbim mendimesh mes vendeve anëtare dhe përpjekje për të dalë nga qorrsokaku pasi që Parisi i bllokoi negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me arsyetimin se paraprakisht nevojitet të reformohet procesi i negociatave.

Por, ministrja finlandeze për çështje evropiane, Titi Tupurainen, para fillimit të takimit deklaroi se propozimi francez nuk do të jetë temë e debatit.

“Nuk do të diskutojmë për nismën franceze, do të flasim për politikën e zgjerimit dhe do të dërgojmë porosi të fuqishme deri te vendet e Ballkanit Perëndimor se BE do t’i kthehet çështjes në pranverën e ardhshme”, tha Titi Tupurainen, ministre finlandeze për Çështje Evropiane.

Ministrat do të bisedojnë për gjendjen me zgjerimin pasi që vendimi për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut u bllokua nga Franca në tetor. Megjithatë, propozime të reja nuk mund të ketë derisa nuk hyn në fuqi përmbajtja e re e Komisionit Evropian.

Sekretarja shtetërore e Francës për Evropë, Ameli de Monshallen, e përsëriti qëndrimin e Parisit për reforma në procesin e negociatave.

Ajo hodhi poshtë informacionet se dokumenti francez vjen në kohë të keqe, duke pasur parasysh se disa nga vendet e rajonit tashmë janë në procesin e aderimit.

“Procesi nuk është i udhëhequr politikisht, ka automatizëm dhe popujt para se gjithash nuk gjenden në të. E shihni sa migrim ka, sa ikin të rinjtë nga Serbia, Mali i Zi, dhe para tyre nga Bulgaria, Romania dhe Kroacia kur negocionin”, u shpreh Ameli de Monshallen, Sekretare shtetërore franceze.

Dokumenti, përkatësisht “non paper-i” francez është dërguar deri te të gjitha vendet anëtare si dhe deri te Maqedonia e Veriut. Nga pushteti thonë se janë të kënaqur nga ajo që është e shkruar në këtë dokument dhe se udhëzimet që i dërgon Franca ngjallin shpresa.

Tani për tani, nuk saktësohet nëse metodologjia e re do të mund të ketë ndikim negativ mbi procesin e integrimit evropian, por vetëm thuhet se ka shumë paqartësi në këtë dokument, pas çka edhe Qeveria do të përfshihet në shqyrtimin e non-paper-it të dërguar nga Franca./21Media