Këshilli i Nxënësve kërkon të ndërpritet greva e SBASHK-ut

Këshilli i nxënësve rekomandon të shterren mundësitë para se të dëmtojnë të drejtën për arsim

Grevën e përgjithshme në arsim po e kundërshton edhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës.

KNK përmes një reagimi në faqen zyrtare në Facebook ka kërkuar nga mësimdhënësit që ta ndërpresin grevën, pasi sipas tyre, po ua dëmton të drejtën për arsim.

“Ne si Këshill i Nxënësve të Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Rinor Kosovar nën ombrellën e së cilit funksionojmë, konsiderojmë se pakënaqësitë e tilla të mësimdhënësve si rritja e pagës, sado që mund të jenë legjitime, do të duhej të adresoheshin përmes metodave të tjera që nuk do të pengonin mbarëvajtjen mësimore, nga i cili fakt ne nxënësit pësojmë më së shumti”, bëhet e ditur në reagim.

KNK ka ftuar Ministrinë e Arsimit, atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe SBASHK-un që të bashkëpunojnë për një zgjidhje më efikase.

“Duke besuar në të drejtën e mësimdhënësve, KNK po të njëjtëve u rekomandon të shterrin fillimisht çdo kanal tjetër para se të dëmtojnë të drejtën tonë për arsim. Greva duhet të ndërpritet”, bëhet e ditur më tutje në reagim.

Ndryshe, mësimdhënësit nga e hëna kanë hyrë në grevë me kërkesën për rritje pagash.

Back to top button