Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton sot për Kosovën

Diskutohet për raportin tre mujor të punës së misionit të UNMIK-ut në Kosovë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot raportin tre mujor të punës së misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në rend dite do të ketë raportin tre mujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteres, bëhet e ditur në njoftimin e OKB-së. Sipas njoftimit, mbledhja është caktuar për orën 15:00, sipas orës sonë i bie në 21:00.

Në këtë raport thuhet se taksa e vendosur për prodhimet e Serbisë dhe të Bosnjës ka rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, raporton RTV21.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në raportin e rregullt tre mujor për Kosovën dje ka thënë se taksa e vendosur për prodhimet e Serbisë dhe të Bosnjës ka rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë. Ndaj kësaj deklarate të Guterresit ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke thënë se ky raport nuk pasqyron të vërtetën për Kosovën.

SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania e kanë kundërshtuar idenë që të ketë raportim çdo tre muaj të Sekretarit të Përgjithshëm për misionin e UNMIK-ut për Kosovën.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj takse janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button