Përmbajtja e këtij teksti ishte publikuar edhe në një grup të mësimdhënësve në Facebook

Përmbajtja e këtij teksti ishte publikuar edhe në një grup të mësimdhënësve në Facebook

Përrallës së “Kësulëkuqes” i është ngatërruar personazhi kryesor i tregimit në librin e ri shkollor të klasës së gjashtë të Gjuhës Shqipe, të hartuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).“Kësulëkuqja” tani është shndërruar në “Borëbardhë”.Përmbajtja e këtij tregimi është publikuar në rrjetin social Facebook dhe ka ngjallur reagime të shumta.

Për këtë autorët e librit kanë thënë se është një lëshim teknik, derisa kanë shtuar se edhe kanë qenë në presion kohor.Autori Bardh Rugova tha se ndryshimi i emrit të përrallës së “Kësulëkuqes” ka qenë një gabim teknik. Ai gjithashtu tha se ka qenë në dijeni se mund të ketë gabime të tilla dhe se ka kërkuar që në librin e Gjuhës Shqipe të mos dalë emri i tij si autor.

“Qëndrimi im është se unë kam bashkëpunuar për atë libër dhe kur ka ardhur puna që është shpejt me u kry, s’kemi pasë kohë me i bë përmirësimet që unë kam dashur t’i bëj, atëherë unë kam kërkuar që mos me qitë emrin tim. Unë kam thënë merreni përmbajtjen, s’ka problem, bëni çka të doni, por unë nuk pranoj me qitë emrin tim, pra pa autorizimin për qitjen e emrit tim”, tha Rugova.

“Unë kam punuar në atë libër, kam ndihmu për hartimin, mirëpo, kur ka ardhur koha për rregullimet dhe detajet teknike të cilat janë dizajnet, dhe ai është gabim teknik, gabim shumë i vogël teknik, i parëndësishëm, por dua ta sqaroj rolin tim, sepse e kam ditur që ka me pasë kësi lloj gabimesh teknike dhe nuk na është dhënë kohë me shiku edhe njëherë dhe kam kërkuar që të mos jetë emri im aty”, shtoi ai.

Edhe autori tjetër i librit Gjuha Shqipe për klasën e 6-të, Shpëtim Elezi, tha se është një lëshim teknik.

“Si bashkautor i tekstit është një lëshim jo përmbajtësor por teknik. Saktësisht është vetëm një ngatërresë e emrave të personazheve të njohura, dhe siç mund të shihet në fillim të faqes së librit. njësia është përmbledhje dhe jo përralla “Borëbardha” apo ‘Kësulëkuqja’, nuk është njësi mësimore, përralla e caktuar është thjeshtë një tekst i paralexuar dhe i njohur mirë nga nxënësit. Kurse fotografia pasuese është krejt gabim teknik dhe titulli ‘Borëbardha’”, tha Elezi.

Elezi shtoi se kanë qenë në presion të kohës dhe ka mundur të ndodhë një gabim i tillë.

Përmbajtja e këtij teksti ishte publikuar edhe në një grup të mësimdhënësve në Facebook./kallxo