Këto janë afatet kushtetuese për formimin e qeverisë

Çka pas formimit të Kuvendit?

Konstituimi i djeshëm i Kuvendit të Kosovës i ka hapur rrugë formimit të Qeverisë pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Por mosmarrëveshja politike për ekzekutivin pritët të zvarrit votimin në Kuvend të një prej institucioneve kryesore në vend. Për këtë dy nene të Kushtetutës së Kosovës dhe një vendim i saj japin hapësirë për interpretime të ndryshme.

Në lidhje me afatet kohore për mandatarin për kryeministër, foli njohësi i rrethanave politike dhe Kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Sipas Baraliut, neni 95 i Kushtetutës e parasheh që qysh prej momentin kur Albin Kurti mandatohet nga presidenti për kryeministër, rrjedh afati i parë 15 ditësh për formimin e qeverisë. Nëse nuk ka vota për këtë, pason afati tjetër 10 ditësh, e nëse as pas kësaj nuk arrihet, presidenti shpall zgjedhjet e reja brenda 40 ditësh.

Por neni tjetër, ai 85, për Baraliun parasheh që mandatari për kryeministër, prej ditës kur mandatohet ka afat rreth 60 ditë për të formuar qeverinë dhe pas saj, sërish shpallje për zgjedhje të reja.
Krahas këtyre neneve që nuk i lejohet partisë së dytë të ofrojë mandatar, është një vendim i vitin 2014 i Gjykatës Kushtetuese, ku i lejohet partisë së dytë dhe tretë të ofrojnë kandidatin e tyre për kryeministër pas dështimit të partisë së parë.

“Fillon prej momentin të përfundimit të konsultimeve siç e ka nisur presidenti sot me të drejt që po kryen obligimet e tij kushtetuese. Pas konsultimeve me partinë fituese dhe kandidatin e saj për kryeministër, atëherë ai e bënë aktin e mandatimit. Prej atij momenti kur bëhet mandatimi i Albin Kurtit për kryeministër fillon dhe rrjedh afati prej 15 ditësh. Afati i parë, në qoftë se brenda këtyre ditëve nuk votohet nga Kuvendi i Kosovës, kabineti i propozuar i qeverisë. Atëherë Kushtetua në nenin 95 të saj ka lejuar edhe një afat shtesë prej 10 ditësh i cili lejohet të njëjtit kandidat ose ndonjë tjetër të mandatohet nga presidenti dhe të zgjidhet Qeveria. Në qoftë se brenda këtij afati nuk zgjidhet qeveria, po ky nen thotë se presidenti i shpall zgjedhjet, ato duhet të bahen brenda 40 ditësh…është një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, i cili lejon mundësinë nëse nuk mundet partia e parë, të dytës dhe të tretës t’i lejohet të mandatojë dikë nga ana e presidentit”, u shpreh Baraliu.

Në lidhje me ftesën e sotme të presidentit Thaçi për kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, Baraliu duke kërkuar përgjigjen karshi kësaj ftesë konsultative, tha se nuk ka detyrë më me prioritet të partisë fituese se sa t’i përgjigjet kërkesave dhe obligimeve Kushtetuese.

“Nuk ka detyrë ma prioritet të partisë fituese se sa t’i përgjigjet kërkesave dhe obligimeve Kushtetuese. Obligim kushtetues për presidentin është që të konsultoj partinë fituese për të mandatuar dhe obligim kushtetues për partinë fituese dhe eksponentin, Albin Kurti që të shkojë dhe të bisedojë për këtë çështje”, deklaroi ai.

Njohësi i Kushtetutës, tha se në Kosovë po rrezikohet një vakum institucional dhe ‘qorr sokak’.

“Ajo që është brengose dhe në frymën jo të duhur për të rrumbullakuar formimin e institucioneve në përgjegjësi edhe të ekzekutivit është mos marrëveshja që nuk u arrit, pra edhe mbetja në gjysmë të rrugës të dy subjekteve politike edhe pas një afati të gjatë të negociatave të tyre. Tani është një vakum institucional për të mos thënë një qorr sokak për arsye se e kemi konstituar Kuvendin, ndërkohë nuk ka gatishmëri që të bëhet edhe qeveria”, tha ai.

Baraliu u shpreh se Qeveria e pakicës është e dëmshme për Kosovën. Për këtë bëri thirrje që të formohet qeveria nga dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Back to top button