"Objektivi për ‘Shpatën e Argjendtë 2020’ është të trajnojë, këshillojë dhe udhëzojë institucionet e sigurisë në Kosovë"

“Objektivi për ‘Shpatën e Argjendtë 2020’ është të trajnojë, këshillojë dhe udhëzojë institucionet e sigurisë në Kosovë”

Takimi për politikat e ushtrimit për ndihmë në rast fatkeqësie ‘Shpata e Argjendtë 2020’, u zhvillua sot në shtabin qendror të KFOR-it në Prishtinë.

Në takim morën pjesë sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe përfaqësues të niveleve të larta të Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtorisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Forcave të Sigurisë, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Michele Risi dhe drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Michael Oberneyer.

“Për KFOR-in, objektivi për ‘Shpatën e Argjendtë 2020’ është të trajnojë, këshillojë dhe udhëzojë institucionet e sigurisë në Kosovë, duke ua bërë të mundur që ata të hartojnë, planifikojnë dhe kryejnë një operacion për reagim ndaj fatkeqësive në Kosovë, bazuar në standardet e NATO-s,” tha gjeneral majori Risi.

Një nga karakteristikat kryesore të ushtrimit të përbashkët do të jetë “ndërveprimi”. Duke pasur parasysh kompleksitetin e menaxhimit të krizës, çelësi i suksesit është aftësia për të punuar së bashku për t’u bërë funksionalisht ndërveprues, duke adoptuar një mirëkuptim dhe një gjuhë të përbashkët midis partnerëve.

Krahasuar me ushtrimet e mëparshme, ‘Shpata e argjendtë 2020’ që do të mbahet në shtator, do të kryhet në një nivel më të lartë integrimi dhe kompleksiteti.

Ushtrimi do të drejtohet nga gjeneral brigade Laurent Michaud, zëvendës komandant i KFOR-it.

Gjysma e parë e vitit do të përqendrohet në procedurat e planifikimit përmes një metode të standardizuar të përdorur nga shumica e organizatave ndërkombëtare.

‘Shpata e argjendtë’ pasqyron misionin e gjatë të KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë.