Prezenca e KFOR-it në Kosovë, nuk është e lidhur me ndonjë periudhë të caktuar kohore

Prezenca e KFOR-it në Kosovë, nuk është e lidhur me ndonjë periudhë të caktuar kohore

KFOR do të jetë në Kosovë derisa institucionet e vendit do të jenë në gjendje të ofrojnë më shumë siguri. Kështu tha komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovanni Fungo, në një konferencë për media, në prag të largimit të tij nga Kosova.

“Prezenca e KFOR-it në Kosovë, nuk është e lidhur me ndonjë periudhë të caktuar kohore. Por është e bazuar në bazë të kushteve. Dhe kur të plotësohen disa kushte, atëherë ne mund të ndryshojmë strukturën, misionin dhe detyrën të cilën KFOR, do ta ketë këtu në Kosovë…. Kushtet janë që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të ofrojnë sa më shumë siguri. Për momentin siguria është e ndarë në tri nivele. Reaguesit e parë i kemi policinë e Kosovës, vija e dytë janë EULEX dhe agjencitë për respektim të ligjit dhe reaguesit e tretë janë KFOR-i”, tha ai.

Ndërsa tha se situata e sigurisë në Kosovë, është mjaft e mirë

“Do të thoja se situatat e sigurisë në Kosovë, është mjaftë e mirë dhe meqë Kosova ka mund të projektoj sigurinë në mbarë Ballkanin perëndimor. I ceka tri nivele të ofrimit të sigurisë që janë duke punuar në mënyrë efikase deri më tani. Kurse nuk e shoh vetëm Serbinë si ndonjë kërcenim dhe aspektet e sigurisë janë zhvilluar nga institucionet e Kosovës në mënyrë mjaftë efikase. Edhe lufta kundër luftëtarëve të huaj ka qenë mjaftë efikase. Dhe kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me policinë e Kosovës , FSK-në dhe EULEX-in. Me të gjitha ekipet e sigurisë, natyrisht me Agjencinë për Menaxhimin Emergjent, për të ofruar ndonjë reagim ndaj ndonjë emergjence. Kemi pasur dhe ushtrime për këtë aspekt dhe kemi qenë shumë të kënaqur. Për 15 muaj nuk kemi pasur të angazhuar asnjë ushtarë të KFOR-it, në ndonjë emergjencë. Do të thotë se puna jonë është kryer me shumë efikasitet”, tha ai.

Fungo po ashtu foli dhe për ushtrimet e përbashkëta me policinë e Kosovës dhe FSK-në, për të cilët tha se janë të të njëjtit standard me ushtarët e tyre.

Ai tha se KFOR dhe gjatë zgjedhjeve të fundit, ka zbarkuar asete të ndryshme, për të ruajtur një ambient të sigurt. Ndërsa tha se kanë shumë sfida përpara dhe se KFOR vazhdimisht bënë përpjekje, që t’i adresojë të gjitha sfidat që do t’i vijnë në të ardhmen dhe se do të vazhdoj të mbetet këtu, për të ofruar një ambient të sigurt.