Kuvendi miraton rekomandimet e Vetëvendosjes për dënimin e aktivistëve

Kuvendi miraton rekomandimet e Vetëvendosjes për dënimin e aktivistëve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot kanë miratuar me 40 vota për, 10 kundër dhe 13 abstenime rekomandimet e paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje rreth dënimit të aktivistëve të saj.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një komunikate për media ku ndër tjerash thuhet se kanë përcjell diskutimet në Kuvend me theks të veçantë atë që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.

“Bazuar në Kushtetutë dhe Ligji, sistemi gjyqësor është i pavarur, i drejtë, apolitik e i pa-anshëm dhe siguron qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Respektimi i pushtetit gjyqësor dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore është obligim për të gjithë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, racore, të nivelit arsimor, apo bartësve të funksioneve shtetërore”, thuhet në kumtesën e KGjK.

Sipas KGjK-së Ligji garanton mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe mjetet juridike të cilat kanë të drejtë i shfrytëzojnë të gjitha palët në procedurë. Çdo tejkalim i autorizimeve kushtetuese dhe ligjore konsiderohet ndërhyrje në punën e gjyqësorit.

“Prandaj, me këtë rast, kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës si institucion i cili ka nxjerrë Kushtetutën dhe Ligjet mbi bazën e të cilave funksionon sistemi gjyqësori që t’i respektojë ato dhe të ndihmojë sistemin gjyqësor për përmbushjen e mandatit për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.”, përfundon kumtesa.

Vetëvendosje përmes këtyre rekomandimeve ka kërkuar: Të gjenden kush janë aktorët e vërtet të sulmit me armë zjarri në natën e datës 4 gusht 2016? Kush është organizatori dhe zbatuesi i projektit të inskenuar për burgosjen e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për këtë sulm? Kush janë ideatorët e këtij inskenimi monstruoz kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje? Kush e vrau Astrit Deharin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2017. Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit nga njëri nga vendet perëndimore të BE-së. Shkarkimin e të gjithë personave, nga Policia e Kosovës të involvuar në këtë rast, sipas tyre të inskenuar si dhe shkarkimin dhe suspendimin e të gjithë personave që kanë qenë kompetentë dhe përgjegjës në hierarkinë shtetërore në kohën kur ka ngjarë rasti i Astrit Deharit. Po ashtu, deputetët miratuan edhe rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, rreth faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në komunat veriore të Kosovës./21Media