Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar sot pajisjet e reja në Kirurgjinë Torakale

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar sot pajisjet e reja në Kirurgjinë Torakale

Për herë të parë Kirurgjia Torakale në QKUK është pajisur me VATS në vlerë prej 64 mijë euro. Kjo aparaturë rritë cilësinë dhe sigurinë e ndërhyrjes, zvogëlon mundësinë për infeksione dhe përshpejton kohën e rehabilitimit të pacientit.

Ministri Uran Ismaili, gjatë përurimit të këtyre pajisjeve, ka thënë se duke luftuar korrupsionin në shëndetësi është bërë e mundur që të kursehen më shumë para të cilat po kthehen në investime për klinikat dhe spitalet tona.

“Sot në Kirurgjinë Torakale përuruam pajisjen e re të VATS-it dhe Bronkoskopin që bashkë kapin vlerën e 74 mijë eurove. VATS-i i ri do të rritë shumë sigurinë e pacientit në operacione dhe do të mundësojë rehabilitim më të shpejtë të tij. Meqenëse operimet e tilla në privat sillen nga 25 deri në 40 mijë euro, ne kemi bërë një ndërhyrje që direkt prekë jetën e pacientëve dhe buxhetin e familjeve”, ka thënë ministri Ismaili.

Më tutje, ai ka deklaruar se duke luftuar korrupsionin ka nisur të kthehet shpresa dhe besimi i qytetarëve në sistemin tonë shëndetësor.

“Miliona euro të shpëtuara në blerjen e barnave i kemi kthyer në orientimin e duhur: në më shumë aparaturë moderne për klinikat dhe spitalet tona të cilat tani janë në shërbim të plotë të pacientëve, qytetarëve dhe familjeve.”, ka thënë ministri Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka deklaruar se të gjitha këto investime po bëhen në vazhdën e modernizmit të pajisjeve në QKUK që pacientëve t’u ofrohen më shumë shërbime.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Saudin Maliqi, ka thënë se tani e tutje kjo klinikë do të ofrojë shërbime që nuk i ka ofruar më parë.

“Për herë të parë do të nisim me ofrimin e këtyre shërbimeve të cilat më parë qytetarët i kanë marrë jashtë vendit. Po ashtu, përmes këtyre pajisjeve, pacientët më nuk do të kenë nevojë të qëndrojnë 12 ditë në spital por maksimumi 2 ditë”, ka thënë ai./21Media