Me vendimin e autoriteteve turke

Me vendimin e autoriteteve turke

Autoritetet turke kanë vendosur orë policore në 176 fshatra në provincën juglindore Diarbakir, rajon ky me popullatë shumicë kurdë.

“Ora policore do të hyjë në fuqi nga 14 shkurti dhe do të zgjasë për një kohë të pacaktuar”, u theksua në komunikatën e autoriteteve në Diarbakir, shkruan rtv21.tv

Kjo masë është paraparë që t’i mundësoi forcave turke të sigurisë neutralizimin e anëtarëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit, organizata e cila po kryeson që nga viti 1984 luftën guerile kundër Ankarasë.

Partia Punëtore e Kurdistanit është në listën e organizatave terroriste të Turqisë, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, shtatmadhoria e ushtrisë turke njoftoi sot se në kuadër të operacionit “Dega e ullirit” kundër kryengritësve kurdë në Siri, deri me tani forcat turke kanë vrarë mbi 1485 kryengritës.

Në komunikatë u theksua se vetëm gjatë ditës së sotme në rajonin e Afrinit, në veri të Sirisë, janë vrarë 46 pjesëtarë të njësive kurde, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.