Plagosje në Prishtinë

Plagosje në Prishtinë

Një person është plagosur, pas të shtënave me armë zjarri mesditën e së martës në rrugën “Afrim Vitija” në Prishtinë.

Sipas drejtorit të Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 12:00 kemi pranuar një rast ku një person ka qenë i plagosur nën kyçin e këmbës, për momentin është në trajtim e sipër, por jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë ai

Banorët e lagjes ku ka ndodhur rasti, nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por se janë shprehur të traumatizuar.

Sipas tyre, fillimisht ka pasur përleshje në mes të dy grupeve, ku më pas është përdorur edhe arma e zjarrit.

Ndërkohë, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Komunën e Prishtinës Flora Ahmeti ka thënë se Policia është në kërkim të të dyshuarve.

Javën e kaluar dy persona kanë humbur jetën në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ndërsa dy të tjerë ende janë në gjendje të rëndë për shkak të përleshjeve me armë.