Hoti theksoi se gjendja mund të bëhet alarmante

Hoti theksoi se gjendja mund të bëhet alarmante

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka deklaruar se kjo qeveri me LDK-në brenda saj sa do të zgjasë do të jetë në krye të detyrës për tu përballur me situatën.

Hoti përmes një shkrimi në facebook ka potencuar se asnjë detyrë shtetërore-institucionale nuk do të ndikohet nga zhvillimet politike.

“Liderët botërorë, si Merkel e Trump, kanë dhënë mesazhe alarmante, jo për panik, por për vetëdijesim, duke ju treguar qytetarëve të vërtetën për rrezikun që ata të respektojnë udhëzimet shëndetësore. Ky ka qenë qëllimi i mesazheve të secilit nga ne, edhe i z.Veliu. Ky është edhe mesazhi im sot – gjendja MUND të bëhet alarmante.”, ka shkruar Hoti.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të kujdesen për vete.

“Qëndroni në shtëpi, përveç kur është e domosdoshme të dilni. Kur të ktheheni, dezinfektoni rrobat dhe gjërat që sillni në shtëpi. Rrugë tjetër nuk ka për të kaluar këtë pandemi. Të lutemi së bashku që ta kalojmë këtë situatë sa më parë dhe të shihemi në punë e në ballafaqime tona të zakonshme, që janë pjesë e jetës normale dhe zhvillimeve demokratike.”, ka shtuar më tutje Hoti.

Numri i të prekurve nga koronavirusi në Kosovë mbrëmë ka arritur në 31, ndërsa sot është shënuar viktima e parë./21Media