“Klima e të bërit biznes në Kosovë e pafavorshme”

Krasniqit u shpreh se ligji në shumicën e rasteve është ‘copy – paste’ dhe ka shumë raste kur ligjet janë kundër njëra-tjetrës

Në bazë të gjendjes që Oda e Afarizmit të Kosovës është duke parë në terren, klima e të bërit biznes nuk ka përmirësime dhe vazhdon të jetë më e pafavorshme në krahasim me vendet e rajonit. Për këtë bizneset kosovare duhet të bashkëpunojnë më shumë për të krijuar kushte më të mira të të bërit biznes.

Kështu ka deklaruar sot kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi në një takim të përbashkët me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës ku ka thënë se mungesa e ligjeve dhe vullneti i legjislativit dhe ekzekutivit për t’i ndryshuar ato, paraqet problem thelbësor për bizneset.

Madje siç tha ai, ka raste të atilla kur ligjet si ai i bujqësisë dhe minierave, i kanë bërë tashmë 10 vjet që sillen nga Qeveria në Kuvend dhe anasjelltas, e që nuk aprovohen.

Krasniqi me këtë rast u shpreh se kjo Odë në vazhdimësi është duke zhvilluar takime për të parë gjendjen reale rreth kushteve të të bërit biznes dhe të kërkohet veprim në përmirësimin e klimës së bizneseve.

Sipas Krasniqit, ligji në shumicën e rasteve është ‘copy – paste’ dhe ka shumë raste kur ligjet në Kosovë janë kundër njëra-tjetrës.

Ndërsa, kryetari i autoritetit kosovar të konkurrencës, Valon Prestreshi ka kujtuar se ky institucion publik i raporton vetëm Kuvendit të Kosovës, duke përmendur se kanë tri gjëra nën kompetencë, siç janë: marrëveshjet e ndaluara-kartele, abuzimet me pozitën dominuese, si dhe bashkimet apo përqendrimit e ndërmarrjeve.

Ndërkqa, përfaqësues të bizneseve parashtruan një numër pyetjesh që kishin të bënin me problemet që hasin gjatë operimit të biznesit të tyre.

Për Elham Hazirin nga Shoqata e Operatorëve Kabllor abuzimi me pozitën në treg është problemi më i madh me të cilin ata ballafaqohen.

Se gjendja e bizneseve në treg ka probleme e tha edhe librari Naser Bytyqi, i cili u ankua se me shpërndarjen falas të librave nëpër shkollat e Kosovës, ata kanë mbetur pa punë. Ai tha se shteti po iu bënë konkurrencë bizneseve të vogla në vend ndërsa kërkoi nga Qeveria që të bëjë seleksionimin e nevojtarëve e jo të ndihmojë vetëm tri shtëpi botuese.

E sqarime për këtë dha zëvendëskryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, i cili tha se kjo është një ndihmë shtetërore, e cila e dëmton konkurrencën.

Përfaqësues të bizneseve thanë se krahas mungesës së punëtorëve, në vend nuk ka konkurrencë reale.

Ankesa pati edhe për çmimet e ulëta, për të cilat zëvendëskryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi,  tha se ulja e çmimeve lejohet përderisa biznesi nuk është në pozitë dominuese, pasi që për të hyrë në treg bëhen disa lëshime.

Shaban Muja nga ArtAlumium tha se në Kosovë bëhet biznes në mënyrë të paskrupullt.

Krejt në fund, kryetari i Bordit të OAK-ut tha se nëse një çmim shkon nën koston e prodhimit janë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në bashkëpunim me Odën që duhet të komunikojnë që çmimi mos të shkojë nën koston e prodhimit.

Back to top button