Klubi i Prodhuesve: Autoritetet të reagojnë për çështjen e peshkut

Klubi i Prodhuesve: Autoritetet të reagojnë për çështjen e peshkut

Klubi i Prodhuesve ka reaguar ndaj vendimit që ka marrë Maqedonia Veriore për ndalimin e importit të peshkut nga Kosova, ndalesë kjo e cila vjen nga rregullorja për import dhe transit, ku listës së vendeve të treta u ndalohet importi i peshkut të gjallë i cili është për rritje apo shitje e që janë me prejardhje nga Kosova.

Sipas prodhuesve, në asnjë pjesë të rregullores nuk tregohen arsyet e këtij ndalimi.

“Ky vendim i autoriteteve të shtetit të Maqedonisë Veriore vetëm sa e pengon edhe më shumë tregtinë mes të dy vendeve, por për Kosovën është edhe një anëtare e CEFTA-së e cila nuk respekton marrëveshjet e përbashkëta për tregti të lirë, pas Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Klubit të Prodhuesve.

Sipas tyre, ky vendim i dëmton drejtpërsëdrejti bizneset vendore të cilat merren me kultivimin e peshkut, pasi që Maqedonia Veriore ka qenë një ndër tregjet më të rëndësishme për shitjen e peshkut të gjallë nga prodhuesit e Kosovës.

“Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 95 mijë eurove. Ku e në vitin 2019 vetëm në muajin Maj vlera e eksportit ka qenë 23 mijë euro, e që është disa herë më e lartë se muajt paraprak”, thuhet tutje në deklaratë.

Klubi i Prodhuesve ka kërkuar nga autoritetet e vendit që të reagojnë dhe të kërkojnë nga autoritetet maqedonase që të rishikojnë edhe një herë vendimin dhe të tregohen arsyet e vërteta të këtij ndalimi.

Njëkohësisht ata kanë kërkuar që marrëveshjet për tregti të lirë të zbatohen dhe bllokada të tilla të cilat dëmtojnë prodhuesit kosovarë të mos jenë praktikë në të ardhmen./21Media