Ata që kanë plagosur policët të sillen para organeve të drejtësisë

Ata që kanë plagosur policët të sillen para organeve të drejtësisë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar ndaj plagosjes së tre policëve në veri të Kosovës.

Sipas informatave të Q. R të KMDLNj-së në Mitrovicë , që nga ora 5:00 njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë një aksion me ç’rast janë arrestuar dhe ndaluar 30 persona, kryesisht policë të Kosovës të uniformuar të përkatësisë etnike serbe. Në mesin e të arrestuarve ka policë shqiptarë dhe kontrabandistë shqiptarë dhe serbë. Strukturat paralele kanë aktivizuar alarmin dhe ka filluar grumbullimi i serbëve që po e kundërshtojnë policinë duke vënë barrikada. Deri më tani me armë zjarri janë plagosur 3 policë (shqiptarë), njëri është plagosur prapa shpine (më rëndë dhe gjendet në Kirurgji), tjetri e ka hundën e thyer (është në ORL), kurse tjetri ka gërvishje për faktin se plumbi e ka goditur në kuletë. KMDLNj e ka të njohur identitetin e policëve të plagosur.”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj e ka dënuar ashpër dhunën ndaj policëve të Kosovës nga grupe dhe individ të armatosur, që sipas tyre deri më tani kanë qenë të paprekshëm.

KMDLNj ka kërkuar që ata që kanë plagosur policët e Kosovës, të sillen sa më shpejt para organeve të drejtësisë.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë, që nga mëngjesi po realizon një operacion, i cili ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve. Po ashtu, policia përmes një komunikate ka bërë të ditur se aksioni i sotëm në veri dhe në jug të Mitrovicës nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së Heroit Enver Zymeri dhe ish-politikanit Oliver Ivanoviq, siç u raportua në disa media serbe dhe lokale./21Media