Kohë më parë Petroviq ishte ndalur për orë të tëra në kufirin Kosovë – Serbi

Kohë më parë Petroviq ishte ndalur për orë të tëra në kufirin Kosovë – Serbi

Këshilli për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) ka dënuar ashpër sulmin ndaj deputetit, Sllobodan Petroviq nga Partia Liberale Serbe, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse në Kosovë t’i bëjnë hetimet e shpejta dhe përgjegjësit eventual, nëse iu dëshmohet fajësia, të përballen me ligjin dhe ta marrin dënimin sipas ligjit.

“Është koha e fundit që të veprojë ligji ndaj atyre që kërcënimin, shantazhin, linçimin publik dhe dhunën fizike e përdorin për ngulfatje të fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes dhe rasti Petroviq është rast eklantant i shkeljes së këtyre të drejtave”, bëhet e ditur në reagim.

Deputeti Petroviq është sulmuar sot në Prishtinë dhe lidhur me rastin dy persona janë shoqëruar në polici.

Ai kohë më parë ishte ndalur për orë të tëra në kufirin Kosovë – Serbi në Merdare nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë dhe ishte liruar vetëm pasi ishte marrë në pyetje për zhvillimet aktuale në Kosovë, për FSK-në dhe qëndrimin e tij dhe subjektit që e drejton përballë këtyre zhvillimeve.

KMDLNJ thekson se sulmi në vazhdimësi ndaj Petroviq dhe qytetarëve serbë të Kosovës për shkak të mosbindjes dhe mos dëgjueshmërisë ndaj Beogradit zyrtar, sipas KMDLNJ-së, është mohim i lirisë së fjalës, të drejtës për organizim politik, të drejtës për përfaqësim për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në përputhje me vullnetin.