KMDLNJ: Ambienti ku është varrosur Demaçi nuk mirëmbahet

KMDLNJ: Ambienti ku është varrosur Demaçi nuk mirëmbahet

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, nëpërmjet një komunikate ka propozuar që tenderi për shtatoren e Adem Demaçit të shtyhet dhe plotësohet duke ia ndryshuar qëllimin dhe në vend të jetë shatatorja “Adem Demaçi”, sipas tyre, duhet të propozohet “Mauzoleu Adem Demaçi”.

Vendi ku aktualisht është varrosur Adem Demaçi është lokacion jo në përputhje me vlerat njerëzore, kombëtare, politike, etike, kulturore etj. të Bacës Adem dhe që ngërthen dimensionin global aq më parë që ishte Fitues i Merituar i “Çmimit Saharov” dhe shume çmimeve tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Së shpejti po bëhet një vit kur Adem Demaçi ndërroi jetë dhe ambienti ku është varrosur nuk mirëmbahet , është i papastër, deri vonë shërbente si  vendparkim, me një fjalë është një ambient i padinjitetshëm për një kolos të përmasave siç ishte Adem Demaçi.  KMDLNJ propozon që në sheshin ku parashihet të emërohet “Sheshi  apo Parku Adem Demaçi” të ndërtohet “Mauzoleu Adem Demaçi” ku do të vendosej edhe arkivoli me mbetjet mortore të këtij kolosi që e afirmoi në planin global luftën për liri, të drejtat e njeriut dhe çlirim nga robëria e që e vulosi me sakrificën 30 vjeçare në burgjet e ish- Jugosllavisë dhe aktivitetin politik e kombëtarë thuaja 65 vjeçare”, thuhet në komuniaktën e KMDLNJ-së

Gjithashtu, rreth këtij Mauzolen, sipas tyre, duhet të ndërtohet një infrastrukturë përcjellëse dhe për këtë duhet të shpallet një tender ndërkombëtar.

KMDLNJ vlerson se  “Sheshi – Parku  Adem Demaçi” ka hapësirë të mjaftueshme për një Kompleks Memorial e që do të ishte një histori e luftës shekullore për liri ku do të mësohej historia e vërtetë dhe se për këtë shembull më të mirë se Adem Demaçi nuk ka. Adem Demaçi nuk është Mendela i Ballaknit, por është Adem Demaçi i mbarë botës demokratike dhe simbol i të gjithë popujve që e duan lirinë dhe e cila u mohohet. Që ky kompleks memorial të bëhet një tërësi shembullore e një sakrifice të jashtëzakonshme, Sheshi i Flamurit duhet të emërohet “Sheshi  i Adem Jasharit ” ku do të vendosej një shtatore e Komandantit legjendar apo do të ndërtohej një kompleks që do të përfshinte sakrificën e papërsëritshme dhe unike në botë të familjes Jashari dhe të tjerëve që ishin me ta dhe ranë heroikisht dhe këto dy sheshe duhet të lidhen edhe fizikisht me ndonjë nënkalim  apo në ndonjë formë tjetër”, thuhet tutje në komunikatë.

KMDLNJ thekson se nëse arkivoli me mbetjet mortore të humanistit të jashtëzakonshëm Bacë Adem Demaçi do të qëndroi aty ku është, “atëherë do të kemi përgjegjësi historike, njerëzore, kombëtare dhe morale për trajtim nën çdo dinjitet të vlerave njerëzore dhe kombëtare të përmasave botërore”.

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaci, ishte kryetar i  Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ndërsa e ka bartur postin e Kryetarit të Nderit deri sa ka ndërruar jetë me datë 26.07.2018 në Prishtinë./21Media