KMDLNj: Mbyllja e lojërave të fatit s’po jep rezultatet e pritura

KMDLNj vlerëson se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit mund të ketë efekt momental

Mbyllja e kazinove dhe lokacioneve të lojërave të fatit, sipas KMDLNj-së nuk do ta ulin shkallën e kriminalitetit, por rritja e pranisë së shtetit ligjor, kontrollet dhe mbikëqyrja e rregullt, duke i detyruar t’i përmbahen rregullave fiskale, sigurisht se do të ndikonin dhe do të kontribuonin në uljen e krimit si dhe në rritjen e shkallës së mbledhjeve të taksave dhe tatimeve e që nuk është bërë deri më tani.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thekson se me mbylljen arbitrare të kazinove dhe lojërave të fatit po stimulohet ekonomia informale për faktin se tani ka kazino dhe lokacione të lojërave të fatit që ushtrojnë aktivitetin ilegalisht dhe thuaja për çdo ditë ka raste kur Policia e Kosovës zbulon ndonjë lokacion ku ilegalisht veprojnë kazinot dhe lojërat tjera të fatit.

Pastaj, disa kazino dhe lojëra tjera të fatit kanë zhvendosur aktivitetin e tyre në Maqedoninë e Veriut, afër kufirit me Kosovën sikur që e bëjnë transportin gratis nga Kosova e që nënkupton se kemi dëm të dyfishtë ; qytetarët e Kosovës vazhdojnë të frekuentojnë kazinotë dhe lojërat e fatit ( në Maqedoninë e Veriut ) kurse autoritetet maqedonase vjelin taksat nga biznesi dhe qytetarët e Kosovës”, shkruan KMDLNj në një reagim për media.

KMDLNj vlerëson se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit mund të ketë efekt momental, gjë edhe që sipas tyre, u dëshmua nga muaji mars pas mbylljes së tyre.

KMDLNj ka kërkuar përgjegjësi nga ata që kanë lejuar që kazinot të punojnë pa licencë një kohë të gjatë sikur që kërkon që këto kazino dhe lojëra të fatit të detyrohen të paguajnë taksa dhe tatime në mënyrë retroaktive, një pjesë e së cilës pastaj do të shkonte familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre nga ky aktivitet ilegal , për fat të keq i lejuar nga vet shteti.

KMDLNj me anë të komuniktës për media nuk sheh vullnet nga institucionet që të merren në përgjegjësi personat përgjegjës që kanë lejuar një aktivitet ilegal për një kohë aq të gjatë me ç’rast buxheti i Kosovës është dëmtuar dhjetëra e qindra milionë euro.

Gjithashtu, KMDLNj mendon se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit nuk mund të afatizohet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ky pezullim nuk mund të zbatohet gjeneralisht por vetëm në raste të caktuara, sikur që veprohet edhe për bizneset tjera.

Vendimi për ndalimin e kohëzgjatjes mund të merret vetëm pas një vendimi të formës së prerë të gjykatës përkatëse e jo me vendim politik.

Back to top button