KMDLNJ reagon pas deklaratave të Mogherinit për taksën

KMLDNJ: Shqetësim patologjik i Mogherinit për tarifat doganore

KMDLNJ ka reaguar ndaj presionit të BE-së për heqjen e taksave ndaj mallrave serbe. Reagimi i tyre vjen pas takimit të sotëm të ekipit negociator të Kosovës që  kishte në Bruksel me palën e Bashkimit Evropian lidhur me dialogun me Serbinë, ku edhe një herë shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini ka këmbëngulur në heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë.

KMDLNJ kërkesën e Mogherinit për heqjen e taksës e quan si ultimatum shantazhues, si masë e skajshme kundër një politike skajshmërisht armiqësore dhe rrënuese të Serbisë ndaj Kosovës, e për të cilën Mogerini flet në ‘gjuhën e peshkut’, duke heshtur së bashku me burokratët përcjellës të BE-së.

Në këtë reagim, gjithashtu theksohet se presidenti, Hashim Thaçi, i cili sipas tyre, pa asnjë autorizim dhe marrëveshje me Qeverinë e Kosovës thotë se mund të shqyrtohet heqja e taksës doganore 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja nëse Kosovës i ofrohet një prespektivë e qartë për përmbylljen e bisedimeve me Serbinë.

“Pa treguar fare përmbajtjen e marrëveshjes dhe duke e kamufluar me korrigjim të kufijve e që paraqet precedan të rrezikshëm për shtetet e Ballkanit që pikërisht çështja e kufinjëve ka sjellë luftëra të përgjakshme me qindra – mijëra të vrarë, mijëra e mijëra të zhdukur, miliona të shpërngulur në mënyrë të dhunshme, dhjetëra apo qindra mijëra gra të dhunuara dhe miliarda euro dëme materiale.

Presidenti Thaçi, pa mandat kushtetues ndërhynë në mënyrë flagrante në punët e Qeverisë  ndonëse mandatet i kanë të ndara dhe qartë të përcaktuara dhe për këtë, si xhoker dhe kërcënim e përdorë letrën e presidentit Tramp kurse, si pykë për realizimin e këtij “detyrimi ndaj miqve amerikanë” i keq-përdorë Enver Hoxhajn, z- kryeministër i Kosovës dhe kryeparlamentarin Veseli, kryetar i PDK-së duke thënë se këta janë autorë të taksës 100% e jo kryeministri Haradinaj dhe, rrjedhimisht këta paskan të drejtë ta heqin këtë tarifë doganore”, bëhet  e ditur në  komunikatën për media.

Në reagimin e KMLDNJ-së tutje thuhet se në bisedimet, deri më tani të pakushtëzuara midis Kosovës dhe Serbisë, tash e kemi një kushtëzim shantazhues, së pari nga Serbia, nga Frederika Mogerini dhe burokratët përcjellës si puna e Johanes Han, nga Bosnja, disa ndërkombëtarë (ambasadorë dhe politikanë) së fundi edhe nga presidenti Thaçi se nuk ka vazhdim të bisedimeve pa heqjen e taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

Sipas tyre të gjitha këto janë kërcënime 100% në adresë të kryeministrit Haradinaj se, nëse nuk iu bindet këtyre kërkesave shantazhuese atëherë mund të shkarkohet për faktin se po i bllokon dhe pengon vazhdimin e bisedimeve për normalizim të marrëdhenieve me Serbinë në kohën që, po në këto bisedime janë bërë dëme të pariparueshme për Kosovën.

“Frederika Mogerini, nuk brengoset aspak për qytetarët e Kosovës që dhunohen duke pritur deri në 8 orë në kufirin me Serbinë gjatë kthimit në shtetet perëndimore në kohën kur temperaturat bien nën 10 gradë, nuk brengoset se Serbia ka ndërtuar dhe e mirë mbanë sistemin paralel kriminal në të gjitha fushat, se nuk jep informacione për afërsisht 1650 qytetarë të Kosovës të të gjitha nacionaliteteve që janë të zhdukur, që organizon fushatë të egër për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, që vret politikanë serbë në Kosovës, që BIA  e Serbisë malltreton, merr në pyetje dhe shantazhon qytetarë serbë të Kosovës, bartës të pozitave të larta politike dhe publike (Stankoviq dhe Petroviq), që i detyron pjesëtarët – ushtarët e FSK-së të komunitetit serb të tërhiqen duke iu kërcënuar familjet dhe djegur veturat e shumë veprime tjera terroriste ndaj serbëve të Kosovës dhe vet Kosovës”, shkruhet në reagimin e tyre.

KMDLNJ ka përkrahur taksën 100% si dhe ka kërkuar që të zbatohet reciprociteti 100% ndaj Serbisë për aq kohë sa Serbia të reflektojë si një shtet normal dhe nuk ndërhynë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur. Sipas KLMDNJ- së kushtëzimi , përveç se është vepër penale në të njejtën kohë është edhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe si i tillë, jo që nuk duhet të pranohet por duhet të dënohet.

Gjtihashtu KMDLNJ vlerëson se taksa 100% e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e ka arritur qëllimin në shumë fusha: mbrotjen e prodhuesve vendorë, gjetjen e tregjeve alternative për eksport si dhe gjetjen e mundësive të tjera për importimin e mallrave e që janë importuar nga Serbia dhe Bosnja ndërsa, në planin vetdijësues është arritur fitorja më e madhe sepse qytetarët e Kosovës, në masë të madhe i refuzojnë këto mallra.

“Kushdo që e heq këtë taksë 100% e bënë për shkak të presionit të madh shantazhues dhe KMDLNJ është e vetëdijshme se kjo masë edhe mund të suspendohet pas një kohe, për t’i lënë rrugë të hapur bisedimeve të cilat , për momentin, për shkak të mungesë absolute të transparencës janë një pikëpyetje e madhe mirëpo beson dhe thërret qytetarët e Kosovës që kësaj trysnie dhe shantazhi t’i ipet një përgjigje e merituar; të mos e blejnë asnjë prodhim nga Serbia dhe Bosnja, deri në krijimin e kushteve të pranueshme nga Kosova dhe qytetarët e saj. Bojkotimi i mallrave nga Serbia dhe Bosnja duhet të jetë i përgjithshëm”, bëhet e ditur në komunikatë.

Tutje në këtë komunikatë thuhet  se nëse nuk mund ta pengojmë hyrjen e këtyre mallrave për shkak të kërcënimeve, shantazheve, mashtrimeve përmes premtimeve, atëherë duhet ta bëjmë atë që mundemi; të mos blejmë mallra nga Serbia dhe Bosnja dhe t’i bojktojmë bisneset kosovare që politikën e tyre afariste e ndërtojnë duke pasur për themel mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

Në fund të këtij reagimi KMDLNj thotë se  do të përkrahë çdo qeveri që e zbaton reciprocitetin ndaj Serbisë, që i mbron prodhuesit vendorë dhe që e mbron tregun kosovar përmes vendosjes së taksave, në përputhje me sjelljet e atij shteti, në rastin konkret të Serbisë dhe Bosnjes.

“Frederika Mogerini, në vend që palogjikisht i mbronë mallrat nga Serbia dhe Bonja duke kërkuar heqjen e taksës 100% duhet të brengoset se në sajë të mashtrimeve dhe premtimeve i ka ngujuar 2 000 000 qytetarë të Kosovës në një geto të madhe duke iu pamundësuar lëvizjen e lirë, si e drejtë elementare e njeriut e të cilin kufizim nuk e ka asnjë qytetarë tjetër i shteteve evropiane” shkruhet në reagimin e tyre.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pas takimit që pati sot në Bruksel me ekipin shtetëror për dialog, përmes një njoftimi zyrtar ka thënë se ka shfrytëzuar takimin për të kërkuar sërish që të hiqet taksa e vënë ndaj produkteve serbe. /21Media 

 

 

 

Back to top button