Koalicioni ASH-Besa-Alternativa larg realizimit

Ibrahimi: Nuk bisedojmë me Besën, është filial i BDI-së

Bashkimi i tri partive shqiptare ASH, BESA dhe Alternativa në një koalicion duket i pa mundur. Sekretari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi për TV21 tha se nuk do të ulen në tavolinë me Besën, pasi siç tha, është filial i BDI-së, raporton TV21.

“E vërteta është se ne kemi negociuar vetëm me Aleancën dhe me asnjë parti tjetër, as shqiptare dhe as maqedonase dhe kemi shfaqur gatishmëri të merremi vesh me Aleancën që të shkojmë bashkë në zgjedhje të parakohshme. E vërteta tjetër është se ne kemi thënë së nuk do të bashkëpunojmë në asnjë rast me BDI-në dhe filialet e saja të cilat ju i përmendet. Për mua, pos Aleancës për Shqiptarët, të gjitha partitë tjera shqiptare janë filiale të BDI-së”, tha Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.

Se Alternativa nuk po pranon të ulet në tryezë trepalëshe për koalicion parazgjedhor, deklaroi edhe Arjanit Hoxha nga BESA. Ai madje kërkoi nga Aleanca për Shqiptarët që t’i sqarojë publikut se pse nuk po arrihet koalicioni i iniciuar nga vetë ata.

“Pasi që iniciatorë i koalicionit trepalësh është Aleanca për Shqiptarët ndërsa ne si Lëvizje Besa kemi pranuar të ulemi të bisedojmë të tre partitë, duhet ASH t’i tregojë opinionit publik arsyet pse Alternativa nuk pranon bisedimet trepalëshe”, deklaroi Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.

Por edhe pse po duket i pamundur koalicioni ASH-BESA-ALTERNATIVA, nga partia e Ziadin Selës janë të interesuar për të jetësuar të njëjtin. Flakron Bexheti thotë se për të arritur këtë qëllim ka pasur takime me kreun e Besës dhe Alternativës, por ato kanë qenë të realizuar veç e veç, ndërkaq, do të realizohen bashkërisht kur do të ketë harmonizim të qëndrimeve.

“Ka pasur takime me kreun e Besës dhe Alternativës, dhe jemi të interesuar që ta jetësojmë koalicionin parazgjedhor sa me parë. Jemi maksimalisht të përkushtuar që kjo të ndodh. Takimet deri tani janë realizuar veç e veç, ne atë moment që do të kemi sinkronizim të qëndrimeve për ta krijuar një koalicion të tillë kuptohet do të insistojmë në takim te përbashkët mes grupeve ose liderëve të tre subjekteve politike ASH, BESA dhe Alternativa. Tek ne ka vullnet dhe  gatishmëri të plotë, për koalicion trepalësh, shpresojmë që ky vullnet i mirë të jetë edhe tek dy subjektet tjera”, njoftoi Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Derisa bëhen kalkulimet nga ASH-ja për koalicion parazgjedhor, ka zëra se Alternativa po bisedon me LSDM-në, por këto zëra Zeqirija Ibrahimi dhe Muhamed Zekiri nga LSDM-ja i cilësuan si spekulime. Por, se Alternativa ka marrë ofertë për koalicionim me LSDM-në, këtë e tha edhe Skender Rexhepi-Zejdi kohë më parë në emisionin “Click plus”.

Me LSDM-në po bisedon edhe PDSH. Këtë e deklaroi vet lideri i kësaj partie Menduh Thaçi. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka paralajmëruar se negociatat e koalicionet do të fillojnë në shkurt, para se të shpërndahet Kuvendit. Bisedimet për koalicionet po vijnë në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut të caktuara për më 12 prill./21Media

Back to top button