Kocijançiq për Trepçën: Rendin e ditës në dialog e caktojnë Prishtina dhe Beogradi

Kocijançiq tha që nuk komentojmë për pikat për të cilat Prishtina e Beogradi  nuk dëshirojnë të bisedojnë

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq ka sqaruar qëndrimin e institucioneve evropiane lidhur me mundësitë që çështja e kombinatit metalurgjik “Trepça” të përfshihet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket çështjes se a është “Trepça” pjesë e dialogut, Bashkimi Evropian, si ndihmës i procesit ka qenë gjithmonë i qartë që rendi i ditës në dialog përcaktohet nga Beogradi dhe Prishtina. Ne nuk komentojmë për pikat për të cilat nuk dëshirojnë të bisedojnë. Ata i sjellin në tavolinë çështjet që i konsiderojnë të hapura dhe më pas duhet të merren vesh për atë se a duan të flasin për secilën çështje, në mënyrë që të arrihet marrëveshja juridikisht e obligueshme për të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë ajo.

Kocijançiq ka shtuar se dialogu ka për qëllim zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pa një normalizim të plotfuqishëm dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës përmes dialogut, të cilin e ndihmon BE-ja, nuk mund të arrihet deri te stabiliteti afatgjatë në rajon. Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese për normalizimin është emergjente dhe vendimtare që Serbia dhe Kosova të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, ka porositur zëdhënësja Kocijançiq.

Ky sqarim i saj vjen pas reagimeve të ashpra që janë shënuar në Prishtinë pas publikimit të lajmit që Bashkimi Evropian konsideron që “çështja e “Trepçës” duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut”, raporton REL.

Sindikata e pavarurur e minatorëve të Trepçës sot ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së djeshme të zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijançiq. Sipas Sindikatës, diskutimi për Trepçën e cenon direkt sovranitetin e Republikës së  Kosovës, si dhe Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje ka reaguar për deklaratën e Kocijançiqit për Trepçën, duke u shprehur se reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dje po ashtu ka deklaruar se Trepça nuk do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë.

Kujtojmë që, kuvendi i Kosovës më 3 shkurt ka miratuar statutin e Minierës së Trepçës. Dokumenti i kaluar me 80 vota pro, parashikon regjistrimin e saj si një ndërmarrje te re në përputhje me ligjin e miratuar në vitin 2016, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës bëhet pronare me 80% të kapitalit.

Back to top button