Dyshja ishin dhe vazhdojnë të jenë mjaft të pëlqyer nga publiku

Dyshja ishin dhe vazhdojnë të jenë mjaft të pëlqyer nga publiku

Njëri nga serialet humoristike që mblodhi dhe argëtoi publikun e gjerë pasluftës ishte seriali vendor ”Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, i cili doli përmes videokasetave gjatë viteve 2000-2001.

”Mahmutovitët dhe Rexhepovitët” ishte një serial, i cili kishte mbledhur aktorët më të mirë të vendit, të cilët në tema dhe situata të ndryshme arritën ta bëjnë për vete shumë shpejt publikun. Në mesin e shumë aktorëve, të cilët me personazhet dhe batutat e tyre bënë publikun për vete ishin edhe aktorët e mirënjohur kosovar, Adem Mikullovci dhe Shkumbin Istrefi.

Dyshja e njohur në serial ishin babë e bir të ”Rexhepovitëve”, të cilët luanin e shtyheshin me ”Mahmutovitët”, shkruan rtv21.tv

18 vjet pas këtij seriali shumë të njohur dhe të dashur për publikun, aktorët nuk janë ndalur sa i përket karrierës së tyre. Adem Mikullovci përveç angazhimeve në aktrim dhe në serialin ”Kafeneja Jonë” u bë edhe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, Shkumbin Istrefi në fund të vitit që lamë pas kishte xhiruar një film të metrazhit të gjatë “Fusha e Mellenjave” të Arzana Krajes, ku ka luajtur rolin kryesor. Ai përveç kësaj ishte po ashtu edhe pjesë e serialit vendor, ”Kafeneja Jonë”.

Po të shikohet dyshja e njohur nga viti 2000-2001 dhe tani, ata nuk kanë pësuar ndryshime të mëdha në aktrimet e tyre, pasiqë mjaft komik ishin edhe atëherë edhe tani. Ndërsa, në dukje natyrisht që kanë ndryshuar pasiqë kanë kaluar afër 18 vjet nga seriali.

Ndryshe, ”Mahmutovitët dhe Rexhepovitët” ishte i zhanrit komedi dhe kishte 10 episoda me nga 60-80 minuta./21Media